AktualitetBota+Të fundit

Arabia Saudite, Katari dhe Bahreini raportojnë rritje të rasteve COVID-19

Autoritetet shëndetësore në tre vende të Lindjes së Mesme, në Arabinë Saudite, Katar dhe Bahrein, kanë raportuar rritje të rasteve të koronavirusit të ri (COVID-19).

Arabia Saudite tha se 1.088 raste të reja të koronavirusit u konfirmuan në 24 orët e fundit, me çka numri i përgjithshëm i rasteve u rrit në 9.362. Në këtë vend po ashtu janë regjistruar pesë viktima të tjera, duke e çuar në 97 numrin e vdekjeve nga ky virus, ndërsa numri i të shëruarve është rritur në 1.398.

Në Bahrein, infektimet e përgjithshme arritën në 1.873, pas 100 rasteve të reja të konfirmuara. Deri më tani, në këtë vend janë regjistruar shtatë viktima dhe 759 të shëruar.

Katari po ashtu njoftoi 440 të infektuar të ri nga koronavirusi, duke e çuar në 5.448 numrin e përgjithshëm të të infektuarve. Gjithsej 518 pacientë janë shëruar në këtë vend.

Pas shfaqjes për herë të parë dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, koronavirusi është përhapur në mbarë botën, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpërthimin e ka shpallur një pandemi globale.

Bazuar në të dhënat e Universitetit John Hopkins me qendër në SHBA, numri i të prekurve nga ky virus ka tejkaluar shifrën 2.3 milionë, me rreth 162 mijë të vdekur dhe rreth 605 mijë të shëruar./AA

 

Fraksion.com