“Vendimet e reja”; Rama: Falen të gjitha gjobat deri tani, kthehen patentat
Të gjitha gjobat e vendosura deri tani nga policia për këmbësorët dhe shoferët që thyen masat shtrënguese kundër përhapjes së koronavirusit falen nga qeveria. Gjithsej, tha kryeministri Edi Rama janë 7107 gjoba për këmbësorët dhe 1941 gjoba për drejtuesit e automjeteve, që u rikthehen patentat dhe makinat e bllokuara për të nisur nga java e ardhshme si të barabartë pas futjes në fuqi të Kodit Penal.
Ashtu sikur kishte paralajmëruar më parë, kreu i ekzekutivit publikoi masat e reja që do të futen në fuqi nga dita e hënë e javës së ardhshme për vajtjen në punë. E ndërsa theksoi se nesër do të publikohet lista e bizneseve që do të lejohen hapur lirisht nga java tjetër në fashën e orarit 05:00-17:30 ose me turne, Edi Rama u shpreh se të gjithë ata që kanë makinë private mund ta përdorin për të shkuar në punë.
Por me një kusht. Për makinën autorizimi do të jetë javor dhe nuk do të merret më në polici, por te e-Albania për një javë, pra do të jetë leje javore. Në makinë nuk mund të merrni më shumë se një person, që mund të jetë kolegu i punës, i cili duhet të qëndrojë në sediljen e pasme diagonal. Gjithashtu javën tjetër do të lejohet lëvizja me makinë për arsye shëndetësore, por sërish vetëm me autorizim, të cilin duhet ta mbani me vete.
Pra, qytetarët nga e hëna nuk duhet të drejtohen më për të aplikuar për autorizime në policinë e shtetit, por vetëm te e-albania për lëvizjen me makinë në fashën e lejuar 05:00-17:30. Një lajm të mirë kryeministri e dha edhe për pensionistët, të cilët nesër, mund të dalin deri në orën 11:00 nga shtëpia, por jo të shoqëruar me më shumë se një tjetër person dhe nuk do të lejohet që të qëndrojnë në grup, por vetëm ecje në këmbë.
Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se nga kjo betejë për një periudhë 4 mujore, nga marsi në qershor parashikimi i qeverisë është për gjysmë miliardë humbje në buxhetin e shtetit. Në mars më konkretisht buxheti ka pasur një humbje prej 100 mln euro në mars, në prill 170 mln euro e ndërsa parashikohet që 170 mln euro të ketë humbje për muajin maj dhe 100 mln euro për muajin qershor.
Vendimet:
Falen të gjithë gjobat e vendosura deri tani për këmbësorët e shoferët, kthehen patentat
Nga sot në 17:30 deri hënën në 05:00 të gjithë brenda (me përjashtim të pensionistëve)
Pensionistët do të lejohen të dalin vetëm nesër deri në orën 11:00
Nga java e ardhshme mos aplikoni më për leje (autorizim) në policinë e shtetit, por te e-Albania
Javën tjetër lejohet lëvizja me makinë për arsye shëndetësore, vetëm me autorizim (mbajeni me vete)
Nesër publikohet lista e bizneseve që do të lejohen javën tjetër lirisht, por me protokollin e sigurisë
Nga e hëna për të shkuar në punë me makinë merrni autorizim javor te e-Albania
Në makinë mund të merrni vetëm një koleg të punës (në sediljen e pasme diagonal)
Fraksion.com