COVID-19, Kina njofton një numër më të madh viktimash
Kina njoftoi të premten një numër më të madh personash të vdekur në Wuhan si pasojë e COVID-19 sesa ishte njoftuar fillimisht.
Wuhani, epiqendra e pandemisë në vend, e rriti numrin e vdekjeve me më shumë se 50 për qind. Zyrtarët kinezë të shëndetësisë thanë në një deklaratë se në këtë qytet kishin vdekur edhe 1.290 persona të tjerë si pasojë e virusit , gjë që e çon totalin për Wuhanin në 3,869 viktima. Zyrtarët njoftuan gjithashtu një shifër më të lartë të prekurve nga virusi duke e rritur atë me 325 persona, duke çuar totalin e përgjithëm në 50.333 raste (Wuhan).
Në deklaratë thuhej se kishte një numër arsyesh për “mospërputhjet e të dhënave”, përfshirë faktin sipas tyre se rritja e numrit të pacientëve i “tejkaloi burimet mjekësore dhe aftësinë e pranimit të institucionet e kujdesit shëndetësor” dhe disa persona që kishin vdekur në shtëpi nuk ishin përfshirë në numrin e raportuar më parë.
Zyrtarët ndërkombëtare të shëndetit publik kanë qenë skeptikë ndaj njoftime fillestare të Kinës mbi numrin e të prekurve dhe të vdekurve si pasojë e pandemisë, duke thënë se statistikat e Kinës ishin më të ulëta në krahasim me ato të vendeve të tjera.
Zhao Linjian, zëdhënësi i ministrisë së Jashtme kineze tha të premten se Kina asnjëherë nuk është përpjekur të mbulojë faktet. Ai tha se rishikimi i numrave ishte rezultat i verifikimit statistikor për të dhënë një shifër më të saktë të ndikimit të virusit në vend.
Në të gjithë botën rezultojnë më shumë se 2 milionë raste të konfirmuara me COVID-19 dhe afro 150,000 vdekur, sipas të dhënave të universitetit Johns Hopkins.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres tha se ndërsa virusi duket se po i “kursen” fëmijët duke mos u shfaqur me “simptomat të rënda”, jeta e tyre po vështirësohet tërësisht.
Ai u bëri thirrje vendeve që “të mbrojnë fëmijët dhe mirëqenien e tyre” duke shtuar se me miliona fëmijë nuk po shkojnë në shkollë dhe po humbasin mundësinë e qasjes tek ushqimi që ofron shkolla. Izolimi i njerëzve në të gjithë botën do të thotë tha zoti Guterres se fëmijët e mbyllur në shtëpitë e tyre mund të jenë “viktima e dëshmitarë të dhunës dhe abuzimit në familje”.
Të enjten Presidenti amerikan Donald Trump tha që siguria dhe shëndeti i amerikanëve do të jenë përparësi kryesore në hapat që do të ndjekë administrata e tij për rihapjen e vendit. Zoti Trump dhe ekipi i tij bënë publik planin e tyre për një rihapje graduale të vendit dhe rikthimin në punë të amerikanëve. Ai tha se disa pjesë të vendit janë gati të rihapen dhe se të paktën 29 shtete do të jenë të gatshme të rihapen “shumë shpejt”. Vendimi do t’u lihet në dorë guvernatorëve të shteteve dhe drejtuesve lokalë tha zoti Trump.
Njoftimi erdhi disa orë pasi kryetarja e Bashkisë së kryeqytetit të vendit Uashington D.C., Muriel Bowser e shtyu vendimin për mbyllje të qytetit edhe për dy javë të tjera, deri më 15 maj. Ajo tha se masa do të mbetet në fuqi derisa numri i rasteve të reja me COVID-19 të ulet në mënyrë të vazhdueshme.
Numri i infeksioneve me COVID-19 vazhdon të rritet në Shtetet e Bashkuara. Të premten u regjistruan më shumë se 677,000 raste që dhe rreth 35,000 vdekje, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Një e treta e këtyre rasteve i përket shtetit të Nju Yorkut. Zyrtarë të shëndetit publik thonë se trajektorja e koronavirusit po rrafshohet, por sipas tyre fundi i pandemisë duket ende shumë larg.
Presidentja e Komisionit Evropian i kërkoi një “falje të ndjerë” Italisë, epiqendrës së virusit në Evropë, për mos ofrimin e ndihmës në fillimet e shpërthimit të krizës në këtë vend.
“Shumë nga ne nuk ishim atje kur italia kishte nevojë“, tha Ursula von der Leyen përpara Parlamentit Evropian.
Luigi Di Maio, ministri i Jashtëm i Italisë, tha që falja e kërkuar nga zonja Von der Leyen ishte “një akt i rëndësishëm që dëshmon të vërtetën”.
Disa vende në Evropë po bëjnë plane për një kthim gradual në jetën normale, pavarësisht rritjes së vazhdueshme të rasteve të konfirmuara dhe vdekjeve në të gjithë botën. Kancelarja gjermane Angela Merkel po planifikon të lejojë disa shkolla të rihapin duke filluar prej 4 majit, pas planeve të ngjashme në Danimarkë, Itali, Austri e Spanjë.
Zonja Merkel tha se disa dyqane do të nisin të hapen prej javës së ardhshme. OBSH-ja njoftoi të enjten se javën e ardhshme do të publikojë udhëzime për të gjitha vendet se si mund t’i lehtësojnë kufizimet që u vendosën në përgjigje të pandemisë ndërsa të mbajnë situatën nën kontroll. Por në vendet ku kriza vazhdon të thellohet, qeveritë janë të detyruara të zbatojnë masa të ashpra.
Të enjten Kryeministri japonez Shinzo Abe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në të gjithë vendin, duke zgjeruar vendimin për një gjendje të jashtëzakonshme të pjesshme të shpallur më 7 prill e cila mbulonte vetëm Tokion dhe gjashtë rajone të tjera. Ai tha se masa e re do të qëndrojë në fuqi deri më 6 maj./VOA
Fraksion.com