AktualitetBota+Të fundit

SHBA: 22 milionë të papunë brenda një muaji

Pandemia e koronavirusit po vazhdon të dëmtojë rëndë ekonominë e Shteteve të Bashkuara. Javën e kaluar 5.2 milionë punonjës të tjerë aplikuan për të marrë pagesën e papunësisë. Lajmi u njoftua të enjten nga Departamenti i Punës. Shifra e re e çon totalin e të papunëve në katër javët e fundit, në më shumë se 22 milionë, ndërsa pritet që miliona të tjerë të aplikojnë për pagesë punësie në javët e ardhshme kur të ndihen plotësisht efektet e mbylljes së bizneseve.

Ky nivel papunësie nuk është parë në Shtetet e Bashkuara që nga koha e Depresionit të Madh të viteve ’30. Muajin e kaluar disa ndërmarrje pezulluan përkohësisht nga puna punonjësit e tyre, ndërsa të tjera morrën përsipër të vazhdojnë t’i paguajnë për disa javë edhe nëse nuk do të kishin shumë punë për të bërë. Por tashmë shumë kompani po pezullojnë nga puna stafin administrativ, ndërsa po bëhen gjithnjë e më të dukshme problemet e mëdha qe po perjeton ekonomia e vendit.

Disa ekspertë thonë se ekonomia amerikane, më e madhja në botë, është tkurrurur me 10.8 për qind në tre muajt e parë të vitit, rënia e saj më e madhe që nga Lufta e Dytë Botërore. Totali ri javor i kërkesave për pagesën e papunësisë është më i vogël se dy javë më parë, kur më shumë se 6 milionë vetë aplikuan për pagesë papunësie. Kjo sugjeron ndoshta se rënie mund të jetë stabilizuar deri në një farë shkalle. Por ajo që mbetet e panjohur është se edhe për sa kohë bizneset do të vazhdojnë të qëndrojnë mbyllura ose funksionojnë me fuqi të reduktuar, duke çuar në më shumë largime nga puna në javët në vazhdim. Me miliona njerëz mund të mbeten pa punë deri në fund të vitit 2020.

US Unemployment
US Unemployment

Presidenti amerikan Donald Trump po bën presion që të rihapë përsëri bizneset në disa pjesë të vendit më 1 maj, veçanërisht në shtetet ku ka pasur një numër relativisht të vogël të rasteve me koronavirus.

Por drejtuesit e disa prej korporatave më të mëdha të vendit e paralajmëruan atë të mërkurën se duhet të bëhet më shumë testime përpara se punonjësit të kthehen në punë.

Pagesa e papunësisë ndryshon shumë mes 50 shteteve, por shpesh ajo nuk e arrin gjysmën e asaj që një punëtor paguhej përpara se të largohej nga puna. Sidoqoftë zoti Trump ka nënshkruar një ligj si pjesë e paketës stimuluese prej më shumë se 2 trilionë dollarësh që e rrit pagesën e papunësisë me 600 dollarë në javë për katër muajt e ardhshëm.

Në kushtet kur autoritetet federale rekomandojnë që amerikanët të ruajnë të paktën një distancë fizike prej dy metrash nga njeri-tjetri deri në fund të prillit, bizneset janë detyruar të kufizojnë punën ose të ulin qepenat e të largojnë njerëz nga puna.

Ritmi i shpejtë i largimeve nga puna është i pashembullt në historinë amerikane të kohëve të fundit. Shkalla e dëmit ekonomik nuk dihet ende saktësisht. Dhjetë vite më parë gjatë recesionit u deshën dy vjet, mes viteve 2007 dhe 2009, që 8.6 milionë njerëz të humbisnin punën.

Megjithë numrin e madh të pezullimeve nga puna, ose më shumë se një e teta e forcës së punës në SHBA, sekretari i Thesarit Steven Mnuchin është optimist se bizneset amerikane mund të nisin veprimtarinë e tyre rreth muajit maj.

Mendoj se sa më shpejt që presidenti të ndihet i sigurt me çështjet që lidhen me shëndetin publik, ne do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme që kompanitë amerikane dhe punëtorët amerikanë të mund të jenë të hapur për biznes. Ata kanë (bizneset) likuiditet të mjaftueshëm për të operuar bizneset e tyre për një periudhë kohe“, i tha zoti Mnuchin rrjetit CNBC javën e kaluar.

Përkrahës të shumtë të zotit Trump po i bëjnë presion atij të rihapë ekonominë. Të mërkurën me qindra punëtorë në qytetin Lansing të Miçiganit protestuan kundër urdhrit për të qëndruar në shtëpi të guvernatores Gretchen Whitmer, në mesin e atyre 42 shteteve që kanë vendosur urdhra të forta që i lejojnë banorët të dalin nga shtëpia vetëm për gjëra thelbësore.

Niveli i papunësisë në rang vendi në muajin mars ishte 4.4 për qind, por kjo shifër i referohej kryesisht sondazheve të kryera në fillim të muajit, përpara se të ndodhin shumica e largimeve nga puna.

Sondazhi për muajin prill që mbulon largimet e tanishme nuk pritet të publikohet deri në fillim të majit. Për krahasim, 2.6 milionë vende të pune u humbën në 2008 gjatë recesionin që përfshiu vendin një dekadë më parë dhe shkalla e papunësisë arriti në 10.2 për qind në tetor 2009.

Disa ekonomistë amerikanë parashikojnë se 25 deri 40 milionë punonjës nga një forcë pune prej afro 165 milionë vetësh, mund të mbeten pa punë deri në muajin korrik.

Vala e kërkesave për pagesën e papunësisë nga ata që e kanë humbur punën rishtazi ka mbingarkuar disa agjensi shtetërore që merren me aplikimet. Faqet në internet në disa shtete, përfshirë Nju Jorkun dhe Oregonin, nuk punojnë.

Bizneset veçanërisht të prekur nga pandemia, janë dyqanet e shitjeve me pakicë, restorantet, palestrat dhe industria e udhëtimeve, por largimet nga puna po rriten gjithashtu dhe në industrinë e prodhimit, magazinimit, transportit e disa profesione të tjera.

Rreth 190,000 dyqane janë mbyllur, rreth gjysma e hapësirës së objekteve të tregtimit me pakicë të vendit. Rrjetet e mëdha të shitjes me pakicë si Macy’s, Kohl’s dhe Gap kanë pezulluar gjithsej 290,000 punëtorë. Te tjerë biznese që tregtojnë me pakicë gjithashtu kanë larguar me mijëra vetë.

 

Fraksion.com