“Projeksionet pa masat e marra flisnin për mijëra të vdekur”; Rama: Qeveritë vlerësohen për atë që bëjnë dhe atë që ndalojnë të ndodhë
“Shqipëria hyn në grupin e vendeve që e ka përballuar me efikasitet luftën kundër COVID-19”, deklaroi sot në Kuvend, Kryeministri Edi Rama.
Rama tha se “jo projeksionet tona, por ato që bëhen nga ekspertë të pavarur që nuk kanë asnjë lidhje me qeverinë flisnin për mundësinë potenciale se nëse nuk do të ishte marrë asnjë masë ne mund të kishim 18 mijë të vdekur”.
“Ndërsa projeksionet tona sikur masat të mos ishin imponuar dhe respektuar nga shumica flisnin për 2800 të vdekur. Ky është fakti. Qeveritë vlerësohen për atë që bëjnë dhe atë që ndalojnë të ndodh”, tha Rama.
Ai shtois e “nuk ka asnjë argument dhe asnjë arsye mbi baza të qëndrueshme logjike që të mund të hedh poshtë faktin se sot Shqipëria ia ka dalë fazës së parë të përballjes me këtë armik të padukshëm”.
“Natyrisht në kushtet e stresit, mungesës së durimit apo dhe vullnetit për t’u informuar drejt nga burime zyrtare vendase apo të huaja, ka hapësirë edhe për teoritë e konspiracionit apo fantazitë mbi një komplot të madh botëror. Ne jemi këtu bashkë me gjithë botën. Shohim çdo ditë, dëgjojmë çdo ditë edhe në vendet më të zhvilluara”, tha Rama.
Ai shtoi se “jo rastësisht Shqipëria renditet mes vendeve me plagët më të lehta krahasuar me shumë vende të tjera, në madhësi të ndryshme nga SHBA deri te Luksemburgu”.
“Fatmirësisht jemi gjendur në një situatë ku kemi pasur privilegjin t’i referohemi një ekspertize të nivelit më të lartë ndërkombëtar që e kemi në Shqipëri, atij Komitetit Teknik të ekspertëve që me gjithë strategjinë e ndjekur ka provuar se në këto kushte dhe për këtë fushë, Shqipëria nuk ka kujt t’i ketë zili askujt. Nuk kam dëgjuar asnjë ekspert botëror që të thotë ndonjë gjë të re ose të paditur për ekspertët tanë”, tha Rama.
Fraksion.com