Koronavirusi; Meta: Situata nën kontroll, të gjitha përpjekjet e qeverisë pozitive
Gjatë një interviste televizive, Meta tha se në spitale nuk ka mbingarkesë.
“Fakti që nuk ka mbingarkesë në spitalet kryesore, që duhet të përballojnë ballafaqimin me epideminë, është pozitive, sepse situata edhe mund të dilte jashtë kontrollit. Po të krahasojmë me vendet e tjera të rajonit ka rezultate të qëndrueshme. Nuk ka vend për shkujdesje për respektimin e kufizimeve. Sot në Maqedoninë e Veriut për një ditë shpërthyen 100 e ca raste. Pra duhet ruajtur gjithmonë përqendrim”, tha ai.
Në lidhje me ndryshimet në Kodin Penal, Meta tha se ka patur një boshllëk në trajtimin e situatës me pandeminë.
“Në Kodin Penal është e vërtetë se ka një boshllëk të trajtimit të një situate të tillë. Sigurisht që ndryshimi i Kodit është i rëndësishëm, por duhet bërë në mënyrë të përgjegjshme sipas procedurave, sepse nuk mund të ndryshohet në mënyrë të vazhdueshme dhe nën presionin e situatave të caktuara. Ka ndryshime thelbësore midis draftit të parë dhe atyre të sotme. Ne kemi dhënë mendimet tona si institucion, të cilat i bëmë publike, në mënyrë që këto ndryshime të ishin në përputhje me Kushtetutën dhe frymën e saj, por edhe me Konventën e të Drejtave të Njeriut”, tha ai.
Meta tha se është momenti për ta mbështetur qeverinë në luftën kundër COVID-19.
“Qeveria është nën presione të forta, sepse është vetë situata që imponon vendimmarrje jo të lehta. Është momenti për ta mbështetur qeverinë dhe është një situatë që kurrsesi nuk mund të përdoret me veprime abuzive në raport me mirëqeverisjen. Unë jam shumë i kënaqur që përballimi i pandemisë është angazhim i të gjithëve, i qeverisë dhe opozitës. Kjo është baza e një suksesi në menaxhimin e kësaj krize”, tha ai.
Sa i përket masave të marra nga qeveria dhe mbështetjes financiare, Presidenti tha se “të gjitha përpjekjet janë pozitive, por është e rëndësishme që të jenë sa më efektive. Pra të zbatohen, të shkojnë aty ku duhet në mënyrë sa më transparente. Ky është një proces i vazhdueshëm dhe reflektues. Kemi të bëjmë me një proces, kishim paketën e parë për të cilën duhen bërë përpjekje më energjike për zbatimin e saj. Paketën e dytë duhet më shumë transparencë, qartësi në mënyrë që të jetë sa më gjithëpërfshirëse dhe të gjitha shtresat e përfshira në të ta ndiejnë këtë mbështetje. Na duhet ende të punojmë për të mbajtur këto angazhime deri në fund.
Fraksion.com