AktualitetBota+Të fundit

VOA: Amerikanët marrin çeqet ndërsa barra financiare rritet

Ndihma në para e qeverisë federale ka nisur të mbërrijë në llogaritë bankare të amerikanëve në një kohë kur problemet ekonomike të shkaktuara nga koronavirusi po grumbullohen gjithnjë e më shumë. Me mbylljen e shumë fabrikave, prodhimi industrial amerikan është tkurrur gjatë muajit mars, duke regjistruar rënien më të madhe që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore.

Po kështu shitjet me pakicë kanë rënë në nivel të pashembullt, me 8.7 për qind dhe parashikimet për muajin prill janë edhe më të këqija.

Në SHBA në vendin me ekonominë më të madhe në botë këtë javë nisën pagesat njëherëshe për dhjetëra miliona njerëz, si pjesë e paketës së stimuluese prej 2.2 trilionë dollarësh që synon lehtësimin e situatës së krijuar nga koronavirusi duke i dhënë çdo amerikani në moshë madhore deri në 1.200 dollarë si dhe 500 dollarë për fëmijë.

Pagesat janë bërë dhe do të vazhdojnë të vijnë drejtpërdrejt në llogaritë bankare ose do të dërgohen në formë çeku me postë gjatë javëve të ardhshme, në varësi të mënyrës se si amerikanët kanë bërë deklarimin e të ardhurave të tyre.

Në mesin e atyre që ka marrë para është edhe Acqueline Gonzalez, nënë e vetme 32-vjeçare, e cila është pezulluar përkohësisht nga puna e saj si banakiere dhe jeton me mamanë e saj, me profesion mësuese në Miami Lakes të Floridës. Zonja Gonzalez thotë se me paratë e marra ajo pagoi siguracionin e makinës dhe i dha nënës së saj 500 dollarë për qeranë e shtëpisë. Ndërkohë ka aplikuar për të marrë ndihmë falas në ushqime nga shteti.

Nuk kemi asnjë formë tjetër të ardhurash. Nuk kemi zgjidhje tjetër. Nuk mund të punojmë nga shtëpia. Thjesht rrimë, ndërsa faturat na mblidhen“, thotë ajo.

Në një veprim të pashembullt çeqet që t’u shpërndahen amerikanëve do të mbajnë emrin e Presidentit Donald Trump.

Ndërkohë në Evropë dhe Kinë hapat e parë në heqjen e kufizimeve po ndeshin në “rezistencë”, me blerësit po u qëndrojnë larg bizneseve të hapura rishtazi dhe punonjësit që frikësohen se masat lehtësuese e marra së fundmi mund të rrezikojnë shëndetin e tyre. Në Kinë me miliona njerëz po vazhdojnë të tregohen të kujdesshëm duke mos shpenzuar shumë para për blerje apo për të dalë jashtë.

Në Austri, Marie Froehlich, e cila ka në pronësi një dyqan veshjesh në Vjenë, thotë se stafi i saj ishte i lumtur që po kthehej në punë pas disa javësh izolimi në shtëpi. Por në kushtet kur biznesi i saj që varet kryesisht nga turizmi, i cili këtë periudhë ka “mbyllur dyert” për shkak të kufizimeve në udhëtime, ajo thotë se do të duhen muaj për t’u kthyer në normalitet.

Deri atëherë, do të jemi në gjendje krize“, thotë ajo.

Panorama ishte e ngjashme edhe në Italinë e goditur rëndë nga koronavirusi. Rrugët e Romës ishin të shkreta, megjithë një lehtësim të kufizimeve këtë javë që u dha mundësinë disa dyqane të rihapeshin.

 

Fraksion.com