AktualitetPolitikëTë fundit

Këshilli i Sigurisë për COVID-19; Meta falënderon Ramën, Bashën e Ruçin

Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare që zgjati më shumë se 4 orë, ka ardhur edhe reagimi i presidentit Ilir Meta.

Përmes një postimi në Facebook, Meta thotë se çështjet kryesore që u diskutuan ishin vlerësimi mbi situatën aktuale, masat që po ndërmerren për përballimin e pasojave ekonomike dhe sociale, zhvillimi i procesit arsimor dhe strategjia e planifikuar për përfundimin e vitit akademik 2019-2020, si dhe ndryshimet e propozuara në Kodin Penal.

Kreu i shtetit ka vlerësuar rëndësinë e rritjes të efikasitetit të masave, teksa falenderon qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e dëshmuar.

Gjithashtu ai ka falënderuar edhe kryeministrin Rama, kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe kryetarin e PD-së, Lulzim Basha për frymën e bashkëpunimit që treguan në mbledhje.

Postimi i plotë:

Të dashur qytetarë,

Nëpërmjet një video-konference zhvilluam sot mbledhjen e radhës të Këshillit të Sigurisë Kombëtare lidhur me situatën që po kalon vendi nga përhapja e pandemisë globale COVID-19.

Çështjet kryesore që u diskutuan ishin vlerësimi mbi situatën aktuale, masat që po ndërmerren për përballimin e pasojave ekonomike dhe sociale, zhvillimi i procesit arsimor dhe strategjia e planifikuar për përfundimin e vitit akademik 2019-2020, si dhe ndryshimet e propozuara në Kodin Penal.

Mbledhja u zhvillua në një frymë bashkëpunimi, dhe për këtë dua të falenderoj Kryetarin e Kuvendit, z.Gramoz Ruçi, Kryeministrin z.Edi Rama dhe Kryetarin e Partisë Demokratike z.Lulzim Basha.

Vlerësova rëndësinë e rritjes të efikasitetit të masave, përmes ndërgjegjësimit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe rritjes së frymës së bashkëpunimit, pasi objektivi madhor i përbashkët është mbrojtja e shëndetit të qytetarëve, i ekonomisë kombëtare, si dhe përmbyllja e vitit shkollor.

Falenderoj qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e dëshmuar, që duhet të vijojë, në interes të përbashkët.

Sa më efikas të jetë ky bashkëpunim, aq më shpejt do t’i rikthehemi normalitetit dhe jetës plot gjallëri.

SË BASHKU DO T’IA DALIM! 🇦🇱

 

Fraksion.com