Francë, mbi 17 mijë të vdekur nga COVID-19
Numri i të vdekurve nga koronavirusi i ri (COVID-19) në Francë ka shkuar në 17.167.
Në 24 orët e fundit, në Francë janë regjistruar 4.560 raste të reja, me çka numri i përgjithshëm i të infektuarve është rritur në 147.863, njoftoi drejtori i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Jerome Salomon, në një konferencë për media.
Salomon tha se 31.779 pacientë po trajtohen në spitale, përfshirë 6.457 në njësitë e kujdesit intensiv, duke shtuar se sot për herë të parë ka rënë numri i të infektuarve në spitale.
Ai njoftoi se në 24 orët e kaluara, 2.195 persona janë shëruar, me çka numri i përgjithshsëm i pacientëve që e kanë mposhtur sëmundjen ka shkuar në 31 mijë.
Sipas Salomon, në numrin e përgjithshëm të viktimave përfshihen edhe 6.524 të vdekur që kanë humbur jetën në shtëpitë e kujdesit për të moshuar.
Franca është vendi i katërt në botë me më së shumti viktima nga virusi.
Ndërkohë, kryeministri francez Edouard Philippe tha në një deklaratë se punonjësit shëndetësorë që po luftojnë kundër virusit do të shpërblehen me bonus nga 500 deri në 1.500 euro muajin e ardhshëm. Ndërkaq, rreth katër milionë familje me të ardhura të ulëta do të ndihmohen me nga 150 euro, kurse për çdo fëmijë do të dhurohen nga 100 euro.
Fraksion.com