AktualitetBota+Të fundit

Spanja “arrin kulmin” e COVID-19; Numri i të vdekurve tejkalon shifrën 18 mijë

Përderisa numri zyrtar i vdekjeve nga koronavirusi i ri (COVID-19) në Spanjë u rrit për 567 në 24 orët e fundit duke arritur në 18.056, numri i të infektuarve të rinj arriti në një nivel të paparë që nga 20 marsi.

Dje, ministri i Shëndetësisë i Spanjës, Salvador Illa, tha se të dhënat e fundit konfirmojnë se Spanja ka kapërcyer pjesën më të vështirë të krizës.

“Ne kemi arritur kulmin dhe qëllimi këtë javë është të arrijmë në fazën tjetër”, tha ai.

Pika tjetër kryesore do të jetë që numri i të shëruarve të tejkalojë numrin e të infektuarve të rinj, gjë që nuk ka ndodhur që nga fillimi i krizës.

Sot, me 3,045 të infektuar të rinj dhe 2.777 njerëz që u shëruan, vendi po i afrohet atij synimi. Në Spanjë gjithsej 172.541 njerëz janë diagnostikuar ndërsa 67.504 janë shëruar nga COVID-19.

Testimi do të luajë një rol të madh në kontrollimin e sëmundjes dhe qeveria së shpejti do të fillojë një studim epidemiologjik, duke marrë mostra nga 62.400 njerëz në të gjithë vendin, në përpjekje për të përcaktuar shtrirjen e infeksionit.

Aktualisht, vetëm punëtorët e angazhuar në nevojat thelbësorë dhe njerëzit me simptoma të rënda që duhet të shtrohen në spital mund të bëjnë testim.

Mbrëmë, qeveria gjithashtu vendosi që të gjitha laboratorët privatë tani do të jenë në dispozicion të qeverive të ndryshme rajonale të vendit për të kryer testimin e COVID-19.

Spanja mbetet nën një bllokim të rreptë, por dje miliona punëtorë të angazhuar në nevojat jo-thelbësorë u lejuan të kthehen në punët e tyre në sektorë si prodhimtaria dhe ndërtimtaria.

Koronavirusi, i cili për herë të parë u shfaq dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, deri më tani është përhapur në mbarë botën, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpërthimin e ka shpallur pandemi globale.

Bazuar në të dhënat e Universitetit John Hopkins me qendër në SHBA, numri i personave të infektuar nga COVID-19 ka tejkaluar shifrën 1.9 milionë, me rreth 121 mijë të vdekur dhe rreth 465 mijë të shëruar.

 

Fraksion.com