AktualitetEkonomiTë fundit

Përveç Italisë riatdhesime edhe nga Turqia apo Norvegjia; Balluku: Taksative karantinimi 14 ditë në hotel

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi mbrëmjen e sotme se për fazën e dytë të riatdhesimeve, Roma dhe Milano janë dy destinacionet e para.

“Kemi përcaktuar dy destinacionet e para që janë Romë dhe Milano por ndërkohë që po punojmë me destinacione të tjera që është Gjermani dhe Franca si dy pika ku ka kërkesë të lartë për riatdhesim. Operacioni i riatdhesimit nuk ka një afat skadence. Pra, nuk është si herën e parë që ishte për grupet në nevojë por është një operacion i cili do të vazhdojë. Do të jetë sipas kërkesave të të gjithë qytetarëve që duan të kthehen në vend”, tha Balluku.

Ajo u shpreh se “duke filluar nga dita e enjte, vetëm ata që ndodhen në Itali për momentin dhe më pas do të japim ditët kur ata të tjerët që janë në Francë, Gjermani mund të akesesojnë sistemin. Flasim sot për dy destinacione. Nisim me Romën ditën e enjte, sistemi do të jetë i gatshëm për fluturimin e ditës së shtunë. Ata duhet të akesesojnë faqen e Air Albania duhet të klikojnë rubrikën e riatdhesimit dhe duhet të klikojnë numrin e hoteleve ku do të qëndrojnë”.

Ajo shpjegoi se “qytetarët nuk mund të qëndrojnë në shtëpitë e tyre pasi këtu kemi një problem dhe e kemi nga praktika. Kjo është taksative. Hotelet janë përzgjedhur nga Ministria e Turizmit. Për të thënë të drejtën është një proces i hapur për të gjithë ato hotele që përmbushin kushtet për t’u kthyer në karantinë përzgjidhen, pasi nevoja do të jetë shumë më e madhe nga të tre hotelet që po nisim procesin. Pra, ky është një proces i hapur”.

Ministrja theksoi se 14 ditë karantinë do të paguhen nga vetë qytetarët.

“14 ditët e kostos hoteliere Kostot hoteliere të qytetarëve do të paguhen me pagesë elektronike online nga qytetarët pasi të kenë pranuar dhe formularin online të kushteve të karantinimit. Vetëm duke kaluar procesin e rezervimit të karantinës, qytetarët përmes një kodi do të mund të rikthehet në faqen e Air Albania për të bërë rezervimin e biletës. Të sqarojmë pagesën e hotelit. Këtu nuk flitet për pagesën në hotel por për një pagesë simbolike e cila është e njëjta pagesë që është aplikuar edhe gjatë qëndrimit të familjeve të dëmtuara nga tërmeti. Pak a shumë janë të njëjtat struktura hotelerie që janë ofruar për t’u kthyer në struktura karantinimi. Kam shifrën mesatarisht ditore e cila është 2500 lekë të reja në ditë dhe kjo është për 14 ditë ku përfshihet qëndrimi dhe ushqimi. Pra me ushqimin me të gjitha vaktet e ditës dhe qëndrimin për 14 ditë”, tha Balluku.

Balluku shtoi se “rezidentët në Shqipëri që kanë mbetur në kufi, i përkasin një vendimi jo të shtetit shqiptar, por të vendeve të tjera rast pas rasti. Sot kam biseduar me ambasadorin Italian dhe të gjithë shqiptarët që kanë leje qëndrimi të vlefshme dhe janë në Shqipëri, mund të kthehen atje. Mund të ketë edhe 2 udhëtime brenda ditës. Do ketë riatdhesim edhe nga Turqia, po shohim edhe Norvegjinë nga ku kemi kërkesa. Kemi publikuar sot në faqen zyrtare të ministrisë dhe në instagramin tim 4 numra për qytetarët për pyetje, ankesa, përgjigjen nga ora 8 deri në 18, më mirë të shkruajnë në WhatsApp, sepse është më e lehtë për tu përpunuar kërkesa”.

Lidhur me biletat e udhëtimit, Balluku tha se Air Albania do te rimburësoj klientët e saj ndërsa pjesa tjetër do të kenë çmime te arsyeshme udhëtimi.

 

Fraksion.com