AktualitetPolitikëTë fundit

“Basha pranon sërish ftesën e Metës”; Covid-19: Nesër mbledhja e dytë e Këshillit të Sigurisë

 Nesër do të mblidhet Këshilli i Sigurisë për të diskutuar për situatën e krijuar nga koronavirusi në Shqipëri si dhe për masat e ndërmarra.

Burime për Top Channel bëjnë me dije se Presidenti Ilir Meta sërish ka ftuar në “tryezën online” edhe kreun e Partisë Demorkatike, Lulzim Basha. Të njëjtat burime pohojnë se Basha e ka pranuar ftesën e presidentit për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë ditën e nesërme. Mendohet se mbledhja do të zhvillohet pasdite por ende nuk është vendosur përfundimisht.

Ndërkohë mësohet se formati do të jetë i njëjtë si ai i mbledhjes online të 25 marsit. Kryeministri Edi Rama, ministrat përgjegjës të angazhuar për këtë situatë si Manastirliu, Xhaçka, Lleshaj dhe Ahmetaj pritet të informojnë mbi situatën e krijuar nga Covid-19.

Meta mendohet se do të ritheksojë edhe një herë kërkesën e tij për koordinimin e të gjithë institucioneve për përballimin e situatës, por edhe bashkëpunimin e të gjitha palëve.

Në takimin e kaluar mbledhja është zhvilluar online dhe të pranishëm kanë qenë, veç Presidentit edhe kryeministri  Rama, Kreu i Partisë Demokratike Basha, kryetari i Kuvendit Ruçi dhe disa prej ministrave, kreu i Emergjencave Civile dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së shtetit.

 

Fraksion.com