“Uroj që mjekët t’i kenë shpëtuar infektimit”; Spahia: Rruga e vetme shtimi i testimeve
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia deklaroi sot se “rruga e vetme për kthim në normalitete është shtimi i testimeve”.
“Rezultatet pozitive te pacientit ndërsa merrte shërbim në spitalin e Traumës, pas aksidentit automobilistik, tregojnë dhe njëherë rëndësinë e rritjes së testimeve, pasi në këtë mënyrë jo vetëm nuk arrijmë të shkëpusim dot zinxhirin e infektimit, por po vihet çdo ditë në rrezik shëndeti i mjekëve dhe infermierëve dhe rritja e të infektuarve nëpër spitale.
“Sot kemi disa mjekë dhe infermierë nga spitali i Traumës të vetëkarantinuar. Uroj me zemër që t’i kenë shpëtuar infektimit dhe të kthehen shpejt në krye të detyrës aty ku ka dhe shumë nevojë”, tha Spahia.
Ai theksoi se “testimet kanë garantuar suksesin e menaxhimit të përhapjes së COVID-19 në shumë vende që sot po bëhen gati t’i hedhin hapat e parë drejt normalizimit. Prandaj pa humbur kohe duhet shtuar numri i testimeve në mënyrë që të nisë hapja dhe kthimin në normalitet në mënyrë të sigurt dhe të qëndrueshme”.
Fraksion.com