Policia: Monitorimi me dronë dhe kamera në gjithë territorin
Policia e Shtetit prezantoi sot dronet për monitorimin e situatës nëse qytetarët shqiptarë po e respektojnë karantinën dhe fashat orare.
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka inspektuar të hënën paradite në Tiranë, punën e Policisë së Shtetit në monitorimin e situatës me drone, duke vëzhguar nga afër dhe testimet e para.
Sipas policisë, droni do të jetë me altoparlant për të parlajmëruar qytetarët për të respektuar oraret e kufizimit të lëvizjes, si dhe do t’u kujtoi qytetarëve masat administrative dhe penale në rast të shkeljes së lëvizjes së qarkullimit. Dronët janë të pajisur me kamera me rezolucion të lartë, kështu që mund të shihen të gjithë personat apo mjetet që lëvizin.
Policia e Shtetit ka testuar sot disa nga dronet me të cilat do realizohet monitorimi i zbatimit të aktit normativ të qeverisë, të cilat kanë qëllim parandalimin e përhapjen së COVID-19.
“Jemi këtu duke ndjekur disa testime të Policisë së Shtetit në përdorimin e teknologjisë në punën për zbatimin e masave nga ana e qytetarëve për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Zgjerimi i fashës së orare ka si synim uljen e dendësisë në qarkullim dhe lehtësimin e lëvizjes për qytetarët, të cilët duhet të shkojnë në punë apo për të kryer nevojat imediate”,- tha Lleshaj.
“Për policinë zgjerimi i fashës orare do të thotë më shumë punë, më shumë angazhim. Zgjerimi i fashës orare do të thotë për policinë më shumë kontroll. Edhe qytetarët duhet ta kuptojnë se thjesht krijohet më shumë mundësi për ata që duhet të shkojnë në punë, dhe për ata që duhet të shkojnë për të blerë. Përndryshe gjithë të tjerët që gjenden jashtë këtyre kushteve do të ndëshkohen”,- tha ministri i Brendshëm.
“Në funksion të rritjes së kontrollit janë marrë edhe një sasi e caktuar dronësh inteligjentë, që mundësojnë identifikim dhe ndjekje të personave që thyejnë karantinën”,- theksoi Lleshaj.
“Prandaj ftoj qytetarët për bashkëpunim dhe mirëkuptim të zgjerimit të fashës orare dhe jo keqkuptim të tyre, duke krijuar grupime të mëdha, pasi do merren masa. Ftohen qytetarët të bashkëpunojnë me finalizimin e masave me rezultatin e pritur, pra frenimin e përhapjes së COVID 19. Ftoj qytetarët për bashkëpunim sic kanë bërë deri më tani, dhe për mirëkuptim dhe moskeqkuptim të fashës orare që synim mosgrumbullimin. Sot kemi pasur kontrolle të forta në tregje”,- tha Lleshaj, duke shtuar se përdorimi i tyre do të realizohet aty ku do të jetë më e nevojshme.
Modeli i monitorimit me dron është një masë e ndërmarrë në Itali fillimisht, ndërsa tashmë do të përdoret kjo metodë edhe në venin tonë, fillimisht në Tiranë dhe më pas do shtrihet edhe në qytete të tjera.
Fraksion.com