Paketa e zgjeruar: 70 milionë dollarë për 176 mijë individë dhe familje
Kryeministri Edi Rama prezantoi sot paketën e dytë mbështetëse, e cila ofron një ndihmë ekonomike prej 400 mijë lekësh për 176 mijë individë, përmes një fondi të vënë në dispozicion prej 70 milionë dollarësh nga qeveria.
“Kjo paketë e zgjeruar do të mbështesë plot 176 mijë individë dhe familje, duke u ofruar mjetin financiar për ta përballuar me një frymëmarrje më të lehtësuar këtë 40 ditësh vendimtar që kemi përpara deri në fund të muajit maj”, tha Kryeministri Rama.
Paketa, bëri të ditur Rama, do të shkojë si një pagesë e vetme dhe përmbledh disa kategori.
Rama theksoi se “asnjë luftë, asnjë betejë, asnjë ndeshje, nuk fitohet dot pa një qëllim strategjik të përbashkët, asnjë strategji fitoreje nuk ndërtohet dot pa parime të qarta për të gjithë dhe asnjë ushtri, asnjë grup, asnjë skuadër, nuk lufton dot me sukses pa e mbajtur mirë të gjithë, në mendje e në zemër, qëllimin dhe parimet e strategjisë së fitores. Qëllimi strategjik është i thjeshtë: Të fitojmë luftën me sa më pak humbje jetësh dhe vuajtje nga plagët e kësaj pandemie”.
“ Paketa e parë ndihmoi në zbutjen e dhimbjeve të atyre që u prekën menjëherë, qysh në momentin e parë të sulmit, 123 mijë familje, ato me ndihmë ekonomike, ato që mbyllën me urdhër të qeverisë bizneset e tyre të vogla dhe qindra mijëra pensionistë. Ndihma ekonomike u dyfishua, të goditurve të parë në biznesin e vogël i’u akordua një pagë lufte që vazhdon të lëvrohet çdo ditë pas verifikimeve nga tatimet, pensionistëve i’u indeksua pensioni dhe të papunëve të regjistruar në asistencë papunësie i’u dyfishua asistenca”, theksoi ai.
“E thashë qysh kur e publikuam paketën e parë, që mbështetja nuk do të mbaronte aty dhe sot, pasi kemi ndjekur me vëmendje ☼do ditë, të dyja frontet, është momenti ta zgjerojmë paketën. Sepse në vazhdim, deri fundjavën e shkuar, të tjerë janë goditur drejtëpërdrejtë, e me të drejtë kërkojnë e meritojnë ndihmë, për të mos mbetur vetëm. Janë plot 176 mijë vetë. Të cilët nuk janë goditur në të njëjtën kohë dhe nuk i përkasin të njëjtës kategori. Por të gjithëve jemi përpjekur t’u japim mjetet e duhura financiare, për ta përballuar me një frymëmarrje më të lehtësuar, 40 ditëshin vendimtar që kemi përpara, deri në fund të majit”, evidentoi Kreu i Ekzekutivit.
Kryeministri siguroi se “ne do të jemi gati për paketën e tretë mes datave 20-15 maj, duke parë dinamikën dhe përsëri do të jemi në gjendje t’u gjendemi pranë të gjithë atyre që nuk do të kenë të ardhura nga puna”.
“Deri në fund të majit, sepse ne besojmë që duke e mbajtur të shtrënguar fort zinxhirin mbrojtës të unitetit e të solidaritetit kombëtar, do ta ulim ndjeshëm kurbën e infeksionit dhe do të mund të lëvizim jashtë perimetrit të rrethimit ku jemi sot, me shumë kujdes, duke mundësuar kthimin në punë normalisht, me kushte strikte padyshim, të një numri të konsiderueshëm të atyre që do të përfitojnë nga Paketa e Zgjeruar. Por në të gjitha rastet, ne do të jemi gati për Paketën e Tretë, mes datave 20-25 maj dhe përsëri do të jemi në gjendje t’i gjendemi pranë të gjithë atyre që nuk do të kenë të ardhura nga puna për shkak të pamundësisë së daljes nga perimetri i rrethimit mbrojtës. Pra çdo përfitues nga kjo Paketë e Zgjeruar, do të mbështetet për të rezistuar si duhet, pa makthin e arkës së boshatisur në familje, deri në fund të majit”, u shpreh Rama.
Fraksion.com