“Kemi kaluar pjesën më të vështirë”; Pipero: Masat të lirohen në mënyrë proporcionale me kurbën e epidemisë
Masat e marra janë marrë në përputhje me ecurinë e kurbës dhe ishin të domosdoshme, tha mjeku Pëllumb Pipero gjatë një interviste televizive.
“Jam i mendimit që masat duhet të lirohen në mënyrë proporcionale me kurbën e epidemisë. Mendoj që kurba ka qenë e zbutur dhe në përputhje merren masat. Në opinionin tim, marrja e këtyre masave ka një rëndësi të dyfishtë. Së pari, i jep pak frymëmarrje ekonomisë dhe së dyti, ndikon pozitivisht në anën psikologjike të qytetarëve. Nëse qytetarët respektojnë me rigorozitet urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë, nëse respektojnë distancën, vendosin maska, mbajnë distancën kur mbajnë radhë, besoj se janë në raport proporcional me ecurinë e epidemisë në vendi tonë”, tha Pipero.
Pipero tha se, “në çdo vend duhen marrë masat respektive në bazë të ecurisë së epidemisë dhe vazhdoj të jem i mendimit në opinionin tim se masat lehtësuese janë në kohën e duhur, sipas meje, dhe ishin të domosdoshme”.
“Është e vështirë të bësh parashikime për këtë pandemi, pasi është virus me shumë të panjohura. Parashikim nuk ka, por secili prej nesh mund të japë një opinion bazuar në eksperiencën e ecurisë së epidemisë në vendet fqinjë. Unë mendoj që ne kemi kaluar pjesën më të vështirë të kësaj epidemie, që ishte fillimi i epidemisë, ku kishte shumë të panjohura. Tashmë që e njohim më mirë, besoj që e kemi kaluar atë pjesën më të vështirë, por kjo s’do të thotë që pjesa që kemi përpara është më pak e vështirë”, shprehet Pipero.
Ai theksoi se, “masat duhet të vijojnë të respektohen, qytetarët duhet të respektojnë vendimet e qeverisë, duhet të zbatojnë këshillat tona, pasi askush nuk duhet të mendoj që virusi ka ikur nga Shqipëria, virusi është prapë midis nesh. Nëse ne nuk vazhdojmë të gjurmojmë rastet e kontaktit, nëse ne nuk vazhdojmë të testojmë dhe të monitorojmë këto arritje të deritanishme mund të dalin nga kontrolli dhe virusi mund të rikthehet”.
Mbi situatën në spitalin Infektiv, Pipero u shpreh se, “në Infektiv situata është relativisht e qetë, ne çdo ditë nxjerrim pacientë të shëruar nga COVID-19. Ajo që bie në sy është numri i rasteve që shtrohen ka qenë relativisht më i vogël. Situata e atyre që shtrohen është më e rëndë, pasi ata kanë dhe sëmundje të tjera bashkëshoqëruese. Janë më të rralla, po janë disi më serioze. Ajo që nuk ka ndryshuar është përkushtimi i bluzave të bardha dhe kujdesi i madh për çdo të sëmurë”.
“Në terapi tek ne janë 4 persona midis të cilëve njëri është i intubuar dhe në spitalin COVID 2 janë 7 pacientë në terapi intensive. Pra kemi pacientë që janë në prag të daljes nga spitali të shëruar, dhe pacientë që janë nga mesatarisht rëndë, ka dhe raste pak më të rënda, së paku dy në spitalin tonë janë në situatë të rëndë”, tha Pipero.
Fraksion.com