Italia raporton 566 vdekje të reja nga COVID-19
Italia ka raportuar 566 vdekje të reja nga koronavirusi i ri (COVID-19), duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve në vend në 20.465.
Në 24 orët e fundit, infeksionet nga koronavirusi u rritën për 1,3 për qind duke arritur në 103.616, një shifër më e vogël krahasuar me raportin e ditës së mëparshme kur u shënua një rritje për 2 për qind. Numri i personave të shëruar po ashtu vazhdoi të rritet, duke arritur në 35.435, ndërsa numri i pacientëve që po trajtohen në kujdes intensiv ra për ditën e dhjetë me radhë.
Epiqendra e shpërthimit në Itali mbetet rajoni verior i Lombardisë, ku aktualisht numërohen 10.901 viktima, shifër e cila paraqet më shumë se gjysmën e numrit të përgjithshëm të viktimave në Itali.
Pavarësisht presionin në rritje për të filluar me heqjen e disa prej masave të rrepta, të paktën për bizneset në vështirësi të Italisë, kryeministri Giuseppe Conte të premten njoftoi zgjatjen e bllokimit pothuajse të plotë deri më 3 maj. Ndër disa përjashtime nga bllokimi janë libraritë dhe dyqanet për rroba fëmijësh, që do të lejohen të hapen nga e marta.
Megjithatë, secili rajon vendosi të zbatojë rregulla të reja në një mënyrë tjetër, duke u ndarë për sa i përket mënyrës së përgatitjes së të ashtuquajturës “faza e dytë” e rimëkëmbjes, e cila gradualisht do të prezantohet më 3 maj.
Përderisa Piemonte dhe Lombardia, ndër rajonet më të prekura nga koronavirusi, vendosën të mbajnë rregullat e rrepta të karantinës duke kufizuar aktivitetet e lejuara për rihapjen e lokaleve, rajonet e tjera veriore, si Veneto dhe Liguria, zgjodhën një qasje ndryshe.
Shembull, Veneto filloi një fazë të re që guvernatori i saj, Luca Zaia, e quajti “bllokim të butë”, ku me një urdhër të ri lejohet vrapimi në largësi prej 200 metrash nga shtëpia, si dhe hapja e tregjeve. Ai po ashtu lejoi piknik për festat e ardhshme të 25 prillit, Ditës së Çlirimit dhe Ditës së Majit, shumë e popullarizuar në mesin e italianëve, por vetëm brenda oborreve private dhe vetëm me anëtarët e familjes.
Pas shfaqjes për herë të parë dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, koronavirusi është përhapur në mbarë botën, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpërthimin e ka shpallur një pandemi globale.
Bazuar në të dhënat nga Universiteti John Hopkins me qendër në SHBA, numri i rasteve të koronavirusit ka tejkaluar shifrën 1.8 milionë, me mbi 116 mijë të vdekur dhe mbi 441 mijë të shëruar.
Fraksion.com