AktualitetBota+Të fundit

OBSh: Nuk ka dëshmi se vaksina BCG mbron kundër Covid-19; Presim rezultatet

Pas disa spekulimeve se vaksina që përdoret kundër tuberkulozit, BCG, mund të ofrojë mbrojtje edhe kundër sëmundjes Covid-19, Organizata Botërore e Shëndetësisë përmes një deklarate ka thënë se për diçka të tillë nuk ka ende dëshmi.

Për më tepër, kjo organizatë ka paralajmëruar se ndërrimi i destinacionit të kësaj vaksine mund të ndikojë që foshnjat të mbeten pa u vaksinuar dhe kështu të rritet numri i infektimeve dhe vdekjeve nga tuberkulozi, shkruan “The Guardian”.

“Nuk ka dëshmi që vaksina Bacille Calmette-Guerin (BCG) i mbron njerëzit nga infektimi me Covid-19. Dy testime klinike për këtë çështje janë duke u zhvilluar dhe OBSh-ja do t’i vlerësojë dëshmitë kur ato të jenë të gatshme. Në mungesë të dëshmive, OBSh-ja nuk e rekomandon vaksinimin me BCG për parandalimin e Covid-19-shit”, thuhet në deklaratë.

“OBSh-ja vazhdon ta rekomandojë vaksinimin me BCG të foshnjave të porsalindura në vendet me shkallë të lartë të rrezikut nga tuberkulozi”, vazhdon deklarata e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

“Vaksinimi me vaksinën BCG i parandalon format e rënda të tuberkulozit te fëmijët dhe ndërrimi i destinacionit të vaksinave mund të bëjë që foshnjat e porsalindura të mbeten pa u vaksinuar dhe kështu të shtohen rastet e infektimeve dhe vdekjeve nga tuberkulozi”, thuhet më tej në deklaratën e OBSh-së.

 

Fraksion.com