Basha: Qeveria duhet të ndryshojë kryekëput strategjinë për testimet
Kreu i PD, Lulzim Basha deklaroi sot se, qeveria duhet të ndryshojë kryekëput strategjinë për testimet.
“Shqipëria ka nevojë për një strategji për të cilën kyçe është testimi. Dhe sot kemi parë lajme shumë shqetësuese nga çdo qytet”, tha Basha në një intervistë televizive.
Basha tha se “kemi pasur lajme që, për shembull, në Shkodër kemi marrë vesh për një infermiere e cila ka qenë e infektuar dhe 4 pacientë, të cilët ajo i kishte trajtuar, njëri prej tyre ndërroi jetë. Po këta 4 pacientë i kanë takuar familjarët e tyre, e kanë hetuar virusin tek ta? Kanë takuar të tjerë kolegë këta infermierë? Ja pra pse është i rëndësishëm testimi. Sepse ky është çelësi i suksesit për të marrë vesh sesi lëviz virusi, ku ndodhet ai dhe për të marrë masa për ta izoluar”.
“Rasti i të aksidentuarit që u zbulua se ishte me COVID vetëm sepse ndodhi një aksident dhe u detyrua të merrte trajtim mjekësor në Durrës e më pas në spitalin e Traumës. Sot kemi 10 mjekë dhe infermierë në karantinë dhe lus Zotin të mos jenë të infektuar. Por nëse ua kanë përcjellë edhe ata kolegëve të tjerë, pacientëve që kanë në mbikëqyrje, çfarë masash merren në raste të tilla? Kemi të infektuar në fasoneri, në Shkodër. Punonjësit janë urdhëruar të izolohen pa u marrë tamponi, pa u bërë testet. Në këtë mënyrë ata janë burim potencial infeksioni për familjen”, tha Basha.
“Pa testim ne vazhdojmë të mbetemi në errësirë dhe gjithë sakrifica e bërë këto javë dhe këto muaj jo vetëm mund, por do të shkojë dëm. Pa testim ne nuk mund të bëjmë asgjë që të dalim suksesshëm hap pas hapi nga karantina, nga izolimi, apo të rinisim motorët e ekonomisë”, u shpreh Basha.
Ndaj, shtoi ai, “duhet në radhë të parë të ndryshojë kryekëput strategjia. Sepse sot kam dëgjuar edhe ekspertë pranë qeverisë, të cilët kanë pranuar dhe i përshëndes për kurajon e tyre, që strategjia e deritanishme nuk po funksionon. Shëndetësia duhet ta dijë se ku janë të infektuarit, t’i gjurmojë”.
I pyetur në lidhje me testimet, për të cilat Qeveria thotë se po ndjek kriteret e OBSH-së dhe në bazë të këtyre parimeve është duke kryer testimet, Basha theksoi se, “nuk dua të hyj në retorikë me qeverinë. Nuk dua të hyj në asnjë lloj retorike me qeverinë, as në këtë rast. Por dua të kërkoj që Shqipëria të ngrihet të paktën në nivelin e Maqedonisë së Veriut për testimet. Dhe për këtë gjëja e parë që duhet bërë është se nuk duhen treguar me gisht dhe as nuk duhen fshehur se pse jemi me numrin më të ulët të testimeve, por duhen marrë masa urgjente. Dhe në funksion të kësaj prej dy javësh i kam bërë thirrje edhe qeverisë, por edhe partnerëve tanë, nga SHBA, tek BE që ta ndihmojnë qeverinë me një numër sa më të madh kitesh dhe pajisje të tjera testimi”.
Basha tha se, “tashmë është e qartë se kudo në botë, se në ato vende ku kanë aplikuar testimin si një mënyrë e suksesshme për të evidentuar dhe izoluar virusin jo vetëm ia kanë dalë të ulin dhe të mbajnë nën kontroll numrin e viktimave, duke mbajtur nën kontroll numrin e infeksioneve, por po kështu ia kanë dalë të ndërtojnë një strategji të hapjes së ngadaltë dhe nën kontroll të karantinës dhe të aktivitetit ekonomik. Pa bërë një testim të plotë, pa bërë një testim të vazhdueshëm dhe të plotë do ta kemi shumë të vështirë, do ta kemi të pamundur, të jem i drejtpërdrejtë të mos jem diplomat në këtë rast, do ta kemi të pamundur të hedhim këto hapa, sepse çdo hap që hedhim pa ditur se ku është virusi, sa njerëz ka infektuar është një që na çon drejt katastrofës është një hap që na çon drejt përhapjes së virusit, drejt rritjes së numrit të të infektuarve, drejt rritjes së ngarkesës së sistemit shëndetësor, drejt rritjes së personelit shëndetësor të infektuar, drejt rritjes së efektivëve të policisë së infektuar”.
“Dëgjuam edhe për një numër të madh të punonjësve të policisë që janë infektuar dhe që janë detyruar të izolohen apo vetëkarantinohen. Pra këtu kemi një dallim të qartë midis asaj që propozojmë ne tash një muaj, ditë për ditë, pa u lodhur, dhe asaj që nuk po ndodh nga ana e qeverisë. Rritjen masive të numrit të testimeve të cilat qartësisht janë të pamjaftueshme për të kuptuar realisht dimensionet e infeksionit ku ndodhen dhe pastaj për të ndërtuar mbi bazën e kësaj harte infeksioni një strategji dalëse, një strategji të çlirimit hap pas hapi të popullatës nga karantina dhe të ekonomisë nga mbyllja dhe nga izolimi”, tha Basha.
Fraksion.com