AktualitetKosovaTë fundit

Monitoruesit e mediave kritikojnë “presionin” mbi portalin KoSSev

Monitoruesit e lirisë së mediave kanë shprehur shqetësim për presionin e supozuar të autoriteteve në Kosovë ndaj portalit të lajmeve KoSSev, që vepron nga Mitrovica e Veriut.

Gazetarët luajnë “rol kyç” gjatë krizës me koronavirus, duke ofruar “informacione jetike” për publikun, tha të dielën përfaqësuesi i lirisë së mediave i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Harlem Desir.

“Qasja në informacion dhe një mjedis i lirë pune janë thelbësore dhe duhet të sigurohen në çdo kohë”, tha Desir.

Më 11 prill, kryeredaktorja e KoSSevit, Tatjana Lazareviq, është arrestuar për kohë të shkurtër nga Policia e Kosovës, nën dyshimet se ka shkelur kushtet e orës policore, të shpallur nga autoritetet për frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Llazareviq ka thënë se ka qenë duke shkuar në një qendër mjekësore për trajtimin e pacientëve me koronavirus dhe se ka paraqitur vërtetimin që punon si gazetare, por, sipas saj, autoritetet prapëseprapë e kanë marrë në pyetje.

Lazareviq raportohet se përballet me procedura penale, edhe pse gazetarët që punojnë, thuhet se janë të përjashtuar nga ora policore.

Qendra Evropiane për Shtypin dhe Lirinë e Medias e ka dënuar po ashtu arrestimin e Llazareviqit, duke thënë se gazetarët “duhet të jenë në gjendje të vazhdojnë të punojnë, edhe gjatë orës policore”.

Në një tjetër incident, kreu i Shtabit të Krizave në Mitrovicën e Veriut, Aleksandar Spiriq, e ka kritikuar portalin më 9 prill, për transmetimin e drejtpërdrejtë të një konference për media të zyrtarëve që mbikëqyrin shpërthimin e koronavirusit.

“Spiriq i ka kërkuar portalit të mos shkaktojë paqëndrueshmëri duke bërë pyetje politike, por, përkundrazi, t’i ndihmojë autoritetet në luftën e tyre kundër pandemisë COVID-19 [sëmundjes që e shkakton koronavirusi]”, tha Desir nga OSBE-ja.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka thënë të dielën se pengimi i punës së gazetarëve “është një presion jo vetëm mbi punën e tyre, por edhe mbi lirinë e shprehjes”.

“Kjo është gjithashtu në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, tha Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

 

Fraksion.com