Kosovë: Tre pacientë me koronavirus në Klinikën Infektive, në gjendje të rëndë
Në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë të shtruar 44 persona të infektuar me COVID-19 – sëmundjen që e shkakton koronavirusi – ka bërë të ditur infektologu Valbon Krasniqi.
Tre prej tyre janë në kujdes intensiv, ndërsa 7 të tjerë, sipas Krasniqit, kanë nevojë për oksigjeno-terapi.
“Në Klinikën [Infektive] aktualisht janë të shtrirë 44 pacientë të infektuar me koronavirus. Duhet të përmendet se gjendja e tre pacientëve është më e rënduar, pasi që janë në respiratorë. Po ashtu janë edhe shtatë pacientë të tjerë që kanë nevojë për oksigjeno-terapi”, ka thënë Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.
Ai ka thënë se pas testimeve që janë duke u bërë, mund të ketë edhe të prekur të tjerë me koronavirus.
Në Kosovë aktualisht janë të infektuar 283 persona. Deri më tani, 58 janë shëruar dhe shtatë kanë vdekur.
Fraksion.com