SHBA: Mbi gjysmë milionë raste me COVID-19
Numri i rasteve të koronavirusit të ri (COVID-19) në SHBA ka kaluar gjysmë milionin, ndërkohë që numri i vdekjeve ka shkuar në 18.777.
Sipas shifrave të fundit nga Universiteti John Hopkins me qendër në SHBA, numri i rasteve ka arritur në 501.615 me 35.316 raste të regjistruara në 24 orët e fundit, ndërsa numri i të vdekurve arriti në 18.777 me 2.091 vdekje të regjistruara në 24 orët e fundit.
SHBA ka më shumë raste të raportuara me koronavirus se çdo vend tjetër në botë, e ndjekur nga Spanja me 161.852 dhe Italia me 147.577.
Shteti New York vazhdon të jetë epiqendra e virusit në SHBA, me gjithsej 7.887 vdekje deri më tani, e ndjekur nga New Jersey me 1.932 vdekje.
New York ka raportuar 174.489 raste të koronavirusit, ndërsa New Jersey 54.588 raste.
Ndërkohë, në të gjithë vendin janë shëruar 29.119 pacientë më herët të diagnostifikuar pozitiv ndaj koronavirusit.
Guvernatori Andrew Cuomo tha nëse kjo prirje vazhdon, New York mund të mos ketë nevojë për objekte të tjera spitalore që zyrtarët po përpiqeshin t’i ndërtonin.
Një ditë më parë Presidenti Donald Trump tha se ai nuk do të heqë masat kufizuese, derisa të krijohen kushte të sigurta, por njoftoi një grup pune që do të shërbejë siç tha për hapjen e vendit. Ai shtoi se dëshiron që vendi të hapet sa më shpejt të jetë e mundur.
Në këshill pritet të marrin pjesë Sekretari i Thesarit, Steven Mnuchin dhe këshilltari ekonomik i Shtëpisë së Bardhë Larry Kudlow, tha një zyrtar i Lartë i Administratës, në fillim të javës.
Presidenti Trump tha të premten se në këshill do të përfshihen edhe guvernatorë shtetesh.
Ndërkohë Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Tedros Gebrejesus, paralajmëroi se lehtësimi i kufizimeve para kohe mund të çojë siç tha ai në një ringjallje vdekjeprurëse të pandemisë.
Pasi për herë të parë u shfaq në Wuhan të Kinës, koronavirusi është përhapur në mbarë botën, duke infektuar mbi 1.7 milionë, me mbi 104 mijë vdekje dhe mbi 389 të shëruar.
Fraksion.com