Prishtina futet në karantinë
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka marrë vendim për shpalljen e Prishtinës si zonë karantine, duke ndaluar hyrjet dhe daljet në këtë komunë.
Ai është thënë të ketë marrë këtë vendim në konsultim me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe pas konfirmimit të marrë nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike për 27 raste të reja të prekura me sëmundjen Covid-19 që shkakton koronavirusi.
Në një komunikatë për media është thënë se 20 nga 27 personat e prekur janë nga Prishtina.
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë përmes një postimi në rrjetin social Facebook, se ditëve në vijim do të ashpërsohen masat, pasi që sipas tij, qyteti po hyn në fazë kritike.
“Ditë jo e mirë për Prishtinën. Nga 25 kontaktet e personit të infektuar ditë më herët, 20 janë testuar pozitiv sot. Lajmi i mirë është që të gjitha janë kontakte të personit të infektuar. Lajmi i keq është se tani duhet të shtojmë masat restriktive në Prishtinë”, ka shkruar Ahmeti.
Ai po ashtu ka thënë se masat e shtuara do të vërehen në lagjen Mati 1 dhe se policia nuk do të lejojë grumbullimin e më shumë se dy personave.
Duke marrë parasysh të dhënat e fundit, në gjithë Kosovën është raportuar për 277 persona të prekur nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi, 52 janë shëruar derisa 7 të tjerë kanë vdekur.
Përveç Prishtinës, autoritetet kanë marrë vendim të njëjtë edhe për qytetin e Ferizajt.
Fraksion.com