Spanja regjistron numrin më të ulët të vdekjeve nga COVID-19 në disa javë
Ministria e Shëndetësisë së Spanjës ka informuar se janë regjistruar 605 raste të reja të vdekjeve nga koronavirusi i ri (COVID-19), që është shifra më e ulët që nga 24 marsi,.
Me rastet e reja, numri i përgjithshëm i vdekjeve në vend është rritur në 15.843.
Gjithashtu janë regjistruar 4.576 raste të reja ndërsa mbi 3.500 janë shëruar. Gjithsej, në Spanjë janë regjistruar 157.022 raste të infektimit me koronavirus ndërsa 55.668 persona janë shëruar.
Spanja është në një bllokim të rreptë pothuajse për një muaj.
Sipas Qendrës Kombëtare të Epidemiologjisë (CNE) të Spanjës, shkalla e përhapjes së virusit ka rënë ndjeshëm. Paraprakisht, Shkolla në Londër e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale ka vlerësuar se mesatarisht, 100 njerëz të infektuar mund të përhapnin virusin në më shumë se 400 të tjerë. Tani, CNE thotë se i njëjti numër njerëzish do të infektonte vetëm 84 të tjerë.
Pika tjetër kryesore do të jetë kur numri i pacientëve që shërohen çdo ditë do të tejkalojë numrin e të infektuarve të rinj.
Dje, Parlamenti i Spanjës zgjati gjendjen e jashtëzakonshme deri më 26 prill. Gjatë seancës, kryeministri Pedro Sanchez tha se ka të ngjarë që masat e kontrollit të zgjerohen përsëri deri në të paktën 11 maj.
Javën tjetër, Spanja do të fillojë një program të madh të testimit të antitrupave me qëllim të kuptimit të përhapjes së plotë të virusit në vend. Si pjesë e programit, më shumë se 62.000 persona nga 30.000 familje do të japin mostra gjaku.
Sipas dr. Robert Redfield, drejtor i Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, deri në 25 për qind e njerëzve me virus mund të jenë asimptomatikë, ndonëse ata akoma janë në gjendje ta bartin virusin tek personat tjerë.
Në fund të marsit, universiteti Kings College në Londër vlerësoi se deri në 7 milionë, një në shtatë persona në Spanjë, ishin infektuar me COVID-19.
Fraksion.com