“Bluzat e bardha”; Kush janë 7 mjekët e opozitës qe nuk bashkohen kundër COVID-19
Marrin çdo muaj 700 dollarë pagë nga buxheti i shtetit, për shkak të statusit të ish-deputetit, ngrenë problematika nga kolltukët politikë si dhe artikulojnë kritika e akuza për mënyrën e menaxhimit të epidemisë, por asnjë nga figurat politike të opozitës shqiptare, me profesion mjek, nuk i është bashkuar deri më sot frontit të bluzave të bardha në luftën kundër koronavirusit.
Që nga 9 marsi 2020, Shqipëria, ashtu si i gjithë planeti, po përballet me krizën më të rëndë dhe të madhe shëndetësore të 100 viteve të fundit. Kjo krizë, përpos të tjerave, është edhe test moral për politikën dhe shoqërinë në tërësi.
Mbi dy mijë mjekë dhe infermierë, shumë prej të cilëve në pension, iu përgjigjën thirrjes së autoriteteve për t’u bashkuar me frontin e mjekëve kundër covid-19. 30 mjekë dhe infermierë shqiptarë janë angazhuar në një nga vatrat e infeksionit në Itali.
Shumë deputetë, qeveria, një pjesë e administratës publik dhe krerët e institucioneve të pavarur të drejtësisë, po japin gjysmën e pagës në shenjë solidariteti.
Ndërkaq, në një situatë të tillë emergjence dhe alarmi botëror, opozita shqiptare ka zgjedhur një tjetër rrugë, rrugën e oponencës nga suitat e sigurta, të akuzave, madje të çoroditjes dhe përhapjes së panikut, për llogari politike.
Simbol i kësaj rruge është ish-kryeministri Sali Berisha, më parë kardiolog i njohur. Në vend që vishte bluzën e bardhë në këtë moment kritik për kombin, për t’u vendosur në vijën e parë të luftës kundër koronavirurit, Berisha ka po udhëheq fushatën më të egër në historinë e tij politike, të dezinformimit, akuzave, përhapjes së paniku dhe të projektimit të katastrofave.
Gjatë katër javëve të betejës me covid-19, Berisha ka prodhuar me qindra akuza dhe mashtrime, ndërsa shumë ish-kolegë të tij, edhe më të moshuar se ai, kanë gjetur kurajon të riveshin bluzën e bardhë, duke u përballur me covid-19 në terren.
Tritan Shehu, një tjerët figurë politike e Partisë Demokratike, me një përvojë 20-vjeçare si mjek, ish-shefi i anestezi-reanimacionit shqiptar, nuk i bashkohet betejës së bluzave të bardha, por kritikon online qeverinë, e cila sipas tij nuk ka strategji kundër koronavirusit.
Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, me profesion mjek, shumë aktiv në këshilla online, kritika dhe akuza, por nuk i përgjigjet thirrjes së autoriteteve shëndetësore për t’iu bashkuar frontit të mjekëve. Në radhët e LSI, ka një tjetër mjek të njohur, Vangjel Tavo, ish-ministër i Shëndetësisë, i cili nuk i është përgjigjur thirrjes për t’u përballur në vijën e parë me epideminë.
Edhe ish-deputetja e LSI, Floida Kërpaçi, me profesion farmaciste, ka ndjekur linjën e Vasilit.
Ish-deputetët Flamur Noka dhe Bardh Spahia, gjithashtu me profesion mjek, kanë zgjedhur të njëjtën rrugë. Bardh Spahia ka qenë aktiv gjatë këtyre ditëve me ide, propozime, kritika, akuza dhe denoncime, por nuk i rikthehet profesionit në këto ditë emergjencë shëndetësore.
Edhe mazhoranca aktuale përfaqësohet në Kuvend me disa deputetë, me profesion mjek, të cilët nuk i janë bashkuar frontit kundër COVID-19. Megjithatë, deputetët aktualë të Kuvendit me profesion mjek, vijojnë të ushtrojnë funksionin e ligjvënësit, pra procesin e ligjbërjes online. Një pjesë e tyre kanë hequr dorë nga gjysma e pagës si dhe në të njëjtën kohë janë angazhuar në zonat e tyre elektorale./shqiptarja.com
Fraksion.com