Covid-19; Rritje e ngadalshme e infeksionit në Francë, Gjermani dhe Spanjë; Mbeten masat e izolimit
Në Spanjë, Kryeministri Pedro Sanchez tha në parlament se “Të dhënat që kemi janë inkurajuese. Ne kemi arritur pikun e pandemisë dhe shpejt do shohim zbritjen e kurbës por masat e izolimit për momentin nuk do hiqen”.
Spanja ka regjistruar 157 mijë raste pozitiv nga koronavirusi dhe rreth 16 mijë viktima.
Presidenti francez Emmanuel Macron pritet të hënën të zgjasë masat e izolimit social dhe bllokimit të aktiviteteve prodhuese. Ai sot u takua me virologun Didier Raoult i cili po eksperimenton trajtimin e klorokuin-ës te disa pacientë në një klinikë në Marsejë, të sëmurë me Covid-19.
Franca deri tani ka regjistruar rreth 119 mijë raste infeksioni dhe mbi 12 200 vdekje.
Gjermania po përgatitet për një fushatë të gjerë të testeve të tamponit që do të çojë në hartëzimin masiv të popullatës deri në fillim të majit, ndërsa kompania farmaceutike gjermane CureVac do të fillojë provat klinike të vaksinës në muajin qershor.
Për kancelaren Angela Merkel shifrat e fundit mbi përhapjen e virusit janë baza për të shpresuar.
Gjermania deri më tani ka mbi 118 mijë raste të infektimit, 2,607 vdekje, dhe masat e bllokimit do të vazhdojë për momentin deri në 19 prill.
Duhen të paktën një javë tjetër për të arritur kulmin epidemia në Britaninë e Madhe, ku të vdekurit në 24 orët e fundit ishin 900 për një total prej rreth 8000 viktimash kurse numri i rasteve me Covid-19 është në pragun e 66 000.
Lehtësimi i izolimit shoqëror nuk është në tavolinën e qeverisë britanike dhe masat izoluese të shpallura tre javë më parë ‘do mbetet ende në fuqi’,-paralajmëroi Dominic Raab, duke shtuar se ato do të lehtësohen “derisa të kemi prova që kemi kaluar kulmin e epidemisë”.