AktualitetNATO/BETë fundit

BE: Kthim gradual drejt normalitetit

Komisioni i BE-se e ka hedhur në letër strategjinë daljes nga kriza e Coronës. Komisioni parashikon, nje hapje graduale dhe te mirëkontrolluar.

Si fillim, Komisioni këshillon që lehtësimet të bëhen në nivel vendor, në mënyrë që po të jetë nevoja, ato të anulohen. Sepse një gjë është e pashmangshme: Çdo zbutje e kufizimeve çon  në rritje të numrit të infektimeve, thuhet në draftin e Komisionit.

Prandaj Komisioni sugjeron që çdo vend duhet të plotësojë dy kushte: ngadalësim të ndieshëm të përhapjes së virusit të ri dhe një numër të mjaftueshëm shtretërish spitalorë dhe intensivë. Veç kësaj vendet që duan të lehtësojnë masast, duhet të kenë teste të mjaftueshme për ta ndjekur dhe kontrolluar përhapjen e infektimeve.

Komisioni propozon gjithashtu që personat e grupeve më të rrezikuara të mbrohen më shumë nga të tjerët. Për fëmijët strategjia e daljes parashikon kthimin e tyre në shkolla, por jo si më parë.

Shkollat duhet të garantojnë distancë mes fëmijëve: Pra, klasat të zvogëlohen dhe mësimi të bëhet me turne.

Prezantimi javen e ardhshme

Sipas  së përditshmes gjermane FAZ, kryetarja e Komisionit Ursula von der Leyen, do ta prezantonte këtë plan qysh të mërkurën. Por vende, si Italia, Franca, Spanja, e të tjera, ku pandemia është ende në kulm, ishin jo fort të kënaqura që Komisioni po fliste për një strategji në këtë moment, kur në disa vende pandemia  është duke përjetuar kulmin.

Von der Leyen do ta prezantojë planin e saj, pas pushimeve të Pashkëve, pra javën e ardhshme.

Austria ka paralajmëruar se do të fillojë me heqjen graduale të masave parandaluese.  Po ashtu edhe Danimarka, e cila ka paralajmëruar se nga 15 prilli fëmijët do të mund të kthehen në shkolla.

Gjermania do t’i mbajë masat kufizuese deri më 19 prill. Disa kryeministra landesh, si Armin Laschet (CDU) dhe Markus Soeder (CSU), po ngulin këmbë që të ketë një plan për kthimin në normalitet.

Por kancelarja Angela Merkel doli të enjten para medias dhe sërish tha se masat nuk do ndryshohen deri më 19 prill. Ajo tha se kufizimet do të mbeten edhe për “një kohë të gjatë”, por nuk përjashtoi mundësinë e një zbutjeje të vogël së shpejti./dw

 

Fraksion.com