Shtrimet në spitale ditët e fundit; Mezini: Tregues i mirë për situatën në Shqipëri
Arjan Mezini, mjek pranë spitalit “Shefqet Ndroqi” tha se fakti që 2-3 ditët e fundit, tek Spitali Infektiv dhe Sanatoriumi ka pasur shumë pak shtrime është një tregues i mirë i situatës në Shqipëri.
Gjatë një interviste televizive, Mezini u shpreh se, “tregues i mirë është që 2-3 ditët e fundit, të paktën me komunikimet që kam pasur me kolegët e Infektivit, shumë pak shtrime atje dhe shumë pak shtrime edhe tek ne në Sanatorium. Edhe kjo është një tregues i mirë. Unë mendoj që sigurisht që nuk ka studime, është një virus i ri. Thuhet që do të bashkëjetojë me ne për muaj të tërë, por mendimi im është që duke qenë një virus respirator, besoj që nuk është se do sillet ndryshe në krahasim me viruset e tjerë respiratorë. Sigurisht që do të jetë infektiv, por kam përshtypjen se shkalla e infektimeve me rritjen e temperaturave nuk do të jetë në këtë raport 2.5 me 3 siç jemi tani, ose në temperatura të ulëta, ndoshta do të hyjë në 0.8 me 1 si shkallë infektimi. Shpresoj që do të jemi më të qetë, do të kemi më shumë frymëmarrje, por duhet të kuptojmë nga ana tjetër, që do të jemi prapë të kujdesshëm, nuk mund t’i rikthehemi sërish jetës me grumbullime masive. Do të bëjmë një jetë më të kujdesshme dhe të shpresojmë që ndërkohë të kemi edhe medikamentet që të jetë me efikasë”.
Lidhur me testimet e imunitetit që do të nisin të kryhen edhe në Shqipëri, mjeku Mezini tha se kjo është pozitive, pasi jepet përqindja e masës së imunitetit të popullatës.
“Ky është ai që po bën Gjermania, nga studimet e tërthorta që quhet. Testimi në këtë lloj metode, pra i IKG-së cerkulatore kur ti e ke kaluar po themi infeksionin me SARS COV-2, e para, sepse na shërben për të punuar lirshëm dhe të dalin lirshëm në rrugë. Kjo nuk është aq e kushtueshme sa ç’është analiza me tampon, por sigurisht që është një ekzaminim i ri. Dëgjoja para 3-4 ditësh zonjën Tomini, e cila u shpreh se kjo do të fillojë të realizohet në laboratorin qendror të QSUT-së, këtu në Tiranë”.
Më tej, ai u shpreh se për trajtimin e pacientëve të infektuar nga koronavirusi, përdoren “antimalarikët, antiviralët, oksigjenoterapia dhe ndoshta kortizonikët në raste të caktuara. Terapia është individuale, sepse jo çdo medikament mund ta përdorësh tek çdo person. Nëse ai ka problem kardiovaskular sigurisht që ti je më i tërhequr nga antimalarikët dhe anasjelltas”.
Fraksion.com