Shkon në 23 numri i viktimave me COVID; Vdes e moshuara nga Tirana
Shënohet viktima e 23-të nga koronavirusi në Shqipëri.
Pasditen e sotme ka ndërruar jetë një paciente e infektuar me COVID-19.
Viktima është një 72-vjeçare nga Tirana, me inicialet V.S., e cila ndërroi jetë pasditen e sotme në spitalin infektiv në QSUT.
E moshuara ishte në gjendje të rëndë shëndetësore në terapi intensive prej disa ditësh, ndërsa gjendja e saj është rënduar së tepërmi gjatë ditës së sotme, kur edhe është intubuar, por pavarësisht trajtimit mjekësor dhe përpjekjeve të mëdha të mjekëve, nuk ka arritur të mbijetojë.
72-vjeçarja vuante nga disa sëmundje shoqëruese.
Ndërkohë që kurba e të infektuarve me COVID-19 ka pësuar sërish ulje në javën e katërt, ku janë konfirmuar vetëm 9 raste të reja gjatë 24 orëve, edhe pse është kryer një numër i lartë testimesh prej 234. 6 nga rastet e reja janë në kryeqytet dhe tre të tjerat në Elbasan.
Kur janë bërë fiks një muaj që nga konfirmimi i rastit të parë, ose pacienti ‘zero’ që njihet në gjuhën mjekësore janë kryer gjithsej 3223, nga të cilat janë konfirmuar pozitiv 409 persona. Nga këta, 57 janë të hospitalizuar, ose të shtruar në dy spitale COVID-19 që janë në Shqipëri, që kanë një kapacitet prej 310 shtretësh.
Fraksion.com