Makinat me viktimat e COVID 19 në radhë për të ardhur në Shqipëri; Mediat italiane publikojnë fotot
Mediat italiane kanë publikuar disa foto nga porti i Barit, ku shihen makina funeralesh në radhë për tu imbarkuar në traget. Në këto makina funeralesh thuhet se ka shtetas shqiptarë që kanë humbur jetën në Itali për shkak të koronavirusit.
“Coronavirus, udhëtimi i fundit drejt shtëpisë”, kështu i kanë përshkruar fotot mediat italiane, duke shtuar se ky është kthimi i trishtuar në vendin e tyre.
“Këtu në Itali kishin gjetur punë, kishin realizuar një ëndërr. Sonte nga porti i Barit pamjet dramatike të makinave funerale me shtetas shqiptarë viktima të pandemisë. Ata do të ngjiten në tragetin Marina drejt Durrësit për lamtumirën e fundit. Foto: Francesco Saccente” shkruan media italine.
Ndërkohë që në foto janë disa makina me viktima, nuk ka ende një shifër zyrtare se sa shqiptarë janë prekur nga Covid-19 në Itali dhe sa kanë humbur jetën.