AktualitetTë fundit

COVID-19: Ndryshime urgjente në Kodin Penal, Balla: Moszbatimi i urdhrit të karantinës vepër penale

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i ka cilësuar propozimet e depozituara në Kuvendin e Shqipërisë për ndryshimet në Kodin Penal si një bazë e mirë për të shkuar në një variant final nga ana e Komisionit të Çështjeve Ligjore, Administratën dhe të Drejtat e Njeriut deri në seancën më të parë të Kuvendit të Shqipërisë.

“Propozimet e depozituara në Kuvendin e Shqipërisë janë një bazë e mirë për të shkuar në një variant final nga ana e Komisionit të Çështjeve Ligjore, Administratën dhe të Drejtat e Njeriut deri në seancën më të parë të Kuvendit të Shqipërisë”, ka thënë Balla.

“Shpresoj, besoj dhe i drejtohem edhe grupeve të tjera parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë që të kontribuojnë dhe të mbështesin nevojën për këto ndryshime urgjente në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë”, ka theksuar ai.

“Në shumë vende europiane masat shtrënguese të karantinës dhe distancimit social, po shoqërohen me aktualizim të parashikimeve të Kodit Penal me nevojat dhe domosdoshmëritë që ka sjellë lufta me COVID-19. Hetimi epidemiologjik i disa rasteve në Shqipëri, rastet më të fundit në Elbasan, ka zbuluar se persona të caktuar mbartës ose jo të koronavirusit kanë shkelur me dashje masat shtrënguese të karantinimit, distancimit, të ushtrimit të aktiviteteve të ndaluara gjatë periudhës së fatkeqësisë, duke shkaktuar për shkak të veprimeve të tyre të papërgjegjshme përhapje të epidemisë së COVID-19”, u shpreh Balla.

“Moszbatimi i urdhrit të karantinës apo shkelja e rregullave të karantinës nga personi mbartës ose jo i sëmundjes infektive ngjitëse, përbën vepër penale dhe duhet të dënohet penalisht”, ka shtuar Balla.

Me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, Balla ka theksuar se, “përveç sanksioneve administrative për të gjithë ata persona që do të shkelnin masat e marra, të vendosura nga organet shtetërore, është e nevojshme që të parashikohen dhe sanksione në Kodin Penal, për disa veprime dhe mosveprime të caktuara, duke marrë në konsideratë rrezikun që kanoset për jetën dhe shëndetin nga përhapja e epidemive të sëmundjeve ngjitëse, apo në situata në tjera në rastet e gjendjes së jashtëzakonshme apo gjendjes së fatkeqësisë natyrore”.

“Nisur nga kjo nevojë e menjëhershme për aktualizimin e Kodit Penal në Republikën e Shqipërisë, edhe të atij Rrugor gjithashtu, me situatën e krijuar, Kuvendi i Shqipërisë është institucioni i vetëm që ka përgjegjësinë që me procedura urgjente të garantojë mbrojtjen e jetës së njerëzve nga çdo person që kryen veprime që bien ndesh me masat mbrojtëse”, përfundoi Balla.

 

Fraksion.com