Rakacolli: Ja se kur mund të nis liria me pikatore
Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli në një lidhje me Skype për emisionin “Repolitix”, tha se tendenca e shifrave në vendin tonë është e qëndrueshme dhe se nëse ecim në këtë mënyrë, atëherë java tjetër mund të jetë ajo e lehtësimit të masave me pikatore.
“Nëse ecim në këto shifra java tjetër do të jetë java e lehtësimit të masave. Ky është mendimi i ekspertëve. Vetëm duhet të kuptoni se nëse u shkëputëm në mënyrë të menjëhershme, nuk do të kemi një kthim në normalitet në mënyrë të menjëhershme, por në mënyrë graduale”, tha Rakacolli.
Po cilat do të jenë bizneset që do të përfitojnë nga kjo liri me pikatore? Rakacolli tha se barete, lokalet dhe restorantet, shkollat dhe aktivitete sociale që kanë grumbullime njerëzisht do të jenë të fundit që do të hapen.
“Nga hapja e bareve, kafeve, restoranteve jemi ende larg, po mendojmë për lehtësimin në drejtim të jetës dhe punës. Gjërat që do të kenë grumbullime është akoma herët, këtu përfshihen edhe shkollat. Pra pikatorja nuk do të përdoret për ato vende ku nuk krijon grumbullime. Do shikohet se aty ku mund të krijohet siguria më e madhe dhe të mos kthehet në vatër infeksioni do të shohim mundësinë nëse mund t’i hapim. Kjo do të bëhet në konsultim me ekspertët”, u shpreh Rakacolli.
Fraksion.com