Kurti: Bisedimet me Serbinë – pa harta në tryezë
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se në bisedimet me Serbinë që duhet të ndërmjetësohen nga Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, nuk duhet të ketë harta në tryezë, e as proces që çon në ripërcaktim kufijsh.
Këto komente janë pjesë e një letërkëmbimi me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi dhe çështjet tjera të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak , i cili u emërua zyrtarisht në këtë detyrë me 3 prill.
Në ketër thuhet se të dyja vendet duhet të pajtohen që të sjellin në tavolinën e bisedimeve të gjitha çështjet e pazgjidhura të marrëdhënieve të tyre dypalëshe.
“Palët duhet të sigurojnë që në asnjë rrethanë ose situatë të mos diskutohet çështja e sovranitetit të ndërsjellë, integritetit territorial dhe punët e brendshme. Ne nuk kemi nevojë as për një dialog i cili përfshin hartat në tryezë, e as për një proces që na çon në ridefinimin e kufijve. Kjo është e një rëndësie thelbësore. Dialogu duhet të ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas kësaj, marrëveshja përfundimtare duhet të shoqërohet me një garanci nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara që obligon zbatimin e ndërsjellë dhe të plotë të marrëveshjes”, thuhet mes tjerash në letër në të cilën zoti Kurti zotohet të drejtojë ekipin negociator në të cilin do të përfshihej edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Ndërkaq në letrën drejtuar kryeministrit Kurti, zoti Lajçak shprehet “i inkurajuar” me përkushtimin ë Kosovës “për normalizimin e marrëdhënieve dhe procesin e bisedimeve, dhe që është e gatshme të punojë drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese”.
Ai thekson se emërimi i tij jep shenja “të një rikthimi të angazhimit të BE-së në dialog. Synimi im është të punoj pareshtur dhe në mënyrë dinamike për të ecur përpara në procesin e dialogut, dhe pres që edhe Prishtina dhe Beogradi t’i rikthehen angazhimit të tyre me të njëjtën vendosmëri. Siç e keni theksuar edhe ju, kjo gjë është e rëndësishme për të mirën e të dy popujve. Jam i bindur që nëse ka vullnet të sinqertë politik nga të dy palët, dhe me anë të dialogut, do jemi në gjendje t’i arrijmë rezultatet të cilat secili nga ne i synon, për të mirën e popullit në Kosovë dhe Serbi. Unë, vendimin tuaj për heqjen e tarifës, e shoh si shenjën e parë konkrete të vullnetit tuaj për të rinisur dialogun e Lehtësuar nga BE-ja” thuhet mes tjerash në letrën e zotin Lajçak.
Bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian janë pezulluar që nga muaji nëntor i vitit 2018, kur Kosova vendosi tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj qasjes së Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës. Beogradi kushtëzoi të ulet në tryezën e bisedimeve pa heqjen e tarifave të cilat ishin në fuqi deri më 1 prill kur u hoqën në mënyrë të kushtëzuar nga qeveria e zotit Kurti dhe u zëvendësuan me masa reciproke.
Vendimi i tij u mbështet nga Bashkimi Evropian por jo nga Shtetet e Bashkuara që kanë kërkuar heqjen e tarifave dhe shmangien e pengesave të tjera.
Edhe zoti Lajçak edhe shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell që do të merren me procesin e bisedimeve janë nga vende që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës./VOA
Fraksion.com