COVID-19; Basha: Numri i testimeve, ndihmon për të menduar për rrugën e daljes
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë një interviste televizive ka theksuar se ka kërkuar rritjen e numrit të testeve lidhur me infeksionin COVID-19.
Sipas tij, për këtë ka kërkuar ndihmë edhe tek partnerët. “Jo vetëm kaq, por ia kam kërkuar këtë ndihmë edhe partnerëve tanë, edhe BE-së. Dje e falënderova publikisht dhe doja ta përsërisja falënderimin për Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila me fondin prej 700 mijë dollarësh që i është vënë në dispozicion USAID-it nga fondi amerikan për të ndihmuar Shqipërinë si pjesë e paketës së rajonit, do t’i dedikojë për blerjen e 30 mijë testeve”, tha Basha.
“Dhe uroj dhe shpresoj që këto 30 mijë kite testimi të mbërrijnë sa më shpejt në Shqipëri, sepse janë të domosdoshme. Jemi sot në numra mikroskopikë në krahasim me aty ku duhet të ishim për sa i përket testimit. Mesatarja e testimit për person të infektuar është 4 veta, është shumë e ulët, duke përfshirë këtu edhe njerëz që mund ta kenë përfituar testin për shkak të statusit të tyre shtetëror”, – shtoi Basha.
“Është shumë e ulët, ku është një konsensus i gjithë ekspertëve. Si mund të dalim nga karantinë? Si mund të rindezim motorët e ekonomisë, në qoftë se nuk e dimë ku jemi, nuk e dimë sesa i përhapur është virusi, nuk e dimë sesa të infektuar ka apo dimë vetëm 1/3 apo 1/10 e asaj që ekziston. Prandaj, testimi ka dy role kryesore: Së pari, për të forcuar mburojën e shëndetit. Dhe duket qartë që nga mungesa e testimeve në kemi patur një numër të madh mjekësh dhe infermieresh të prekur, jo vetëm ata që janë raportuar por edhe shumë të tjerë që nuk janë raportuar”, – theksoi kreu i PD.
“Dhe së dyti, për të filluar për të menduar për rrugën e daljes nga kjo situatë”, – vijoi ai.
“Thirrja ime e parë sonte për qeverinë dhe për kryeministrin është të mos vonojë asnjë sekondë, të mos vonojë asnjë ditë paketën e dytë ndihmëse për shëndetësinë, sepse jemi në urgjencë”, – tha Basha.
“E dyta, ekonomia. Paketa sociale është me shumë vonesë dhe për këtë është i vetëdijshëm dhe vetë kryeministri, sepse më 17 mars premtoi se në fund të marsit asnjë familje e dëmtuar nga kriza nuk do të mbetej pa të ardhura”, – shtoi ai.
“Sot është data 8 prill dhe sipas informacioneve zyrtare 9 500 persona kanë marrë pagesën. Nëse është kështu, sepse ndërkohë marrim edhe dhjetëra denoncime të bizneseve të mbyllura të cilave iu refuzohet pagesa, pra, nëse është kështu, prapë është pak. Është pak”, – tha kreu i PD.
“Bëhet fjalë për qindra-mijëra të cilët për shkak të masave kundër COVID-it të cilat i kemi mbështetur dhe i mbështesim plotësisht janë në pamundësi ekonomike. Edhe paketa e parë nuk është zbatuar. Ndërkohë Kosova po kalon paketën e dytë. Maqedonia po kalon paketën e dytë dhe po mendon për paketën e tretë. Ne akoma nuk kemi zbatuar një paketë anemike që është sa 1/3 e paketës që ka nevojë Shqipëria”, – shtoi ai.
“Është sa 1/3 e paketës që ka Kosova. Prandaj jemi shumë vonë dhe duhet të veprojmë urgjentisht në të dyja shinat: Në ndryshimin kryekëput të përqasjes me testimet dhe në dhënien e parave, me alokimin e fondeve brenda buxhetit për t’i shkuar njerëzve që janë në nevojë, të papunëve, bizneseve që janë në shtrëngesë, punëmarrësve që janë në shtrëngesë. Për këtë koha nuk pret më!”, përfundoi Basha.
Fraksion.com