AktualitetTë fundit

Meta: Shmangni lëvizjet drejt Shqipërisë

Presidenti Meta zhvilloi sot një vizitë pune në qytetin e Lezhës për t’u interesuar për masat e marra parandaluese lidhur me pandeminë e COVID-19.

Presidenti Meta zhvilloi një takim pune me prefektin e Qakut, Gjokë Jaku, ku u informua për gjendjen aktuale shëndetësore të të prekurve nga pandemia, nevojën e testimit të personave me të cilët kanë pasur kontakte të drejtpërdrejta, si dhe për masat që janë marrë për parandalimin e përhapjes së pandemisë.

Pas takimit me Prefektin Jaku, Presidenti Meta u shpreh se “ishte kënaqësi të takoja Prefektin e Qarkut të Lezhës dhe kryetarin e Shtabit të Emergjencës këtu, zotin Gjokë Jaku! U njoha prej tij me të gjithë punën që është bërë për ta përballuar këtë pandemi, dhe masat e marra për ta mbajtur atë nën kontroll”.

“Përgëzoj Prefektin, kryetarët e bashkive dhe të gjithë pushtetin vendor, të gjithë qytetarët, për përgjegjshmërinë që kanë treguar. Por edhe të gjithë sipërmarrësit për të gjithë solidaritetin që ata kanë treguar për familjet më në nevojë!”, tha Meta.

‘Besoj se do dalim sa më shpejt nga kjo situatë, nëse i mbajmë të izoluar të gjitha këto raste që janë shfaqur deri tani! Të bëjmë çdo përpjekje që sa më shpejt të rikthehemi në normalitet dhe këtë do ta arrijmë përmes frymës së bashkëpunimit midis institucioneve qendrore dhe vendore, dhe midis të gjitha institucioneve dhe qytetarëve tanë”, tha Meta.

Duke iu përgjigjur pyetjes se si e shikon situatën dhe nëse janë marrë të gjithë masat për përballimin e saj nga ana e qeverisë, Presidenti Meta vuri në dukje se “besoj se ju e keni ndjekur të gjithë dinamikën e kësaj sfide. Kjo është një sfidë jo vetëm për vendin tonë, por është një sfidë për të gjithë botën si dhe për vetë Organizatën Botërore të Shëndetësisë, që në vijimësi nxjerr udhëzime të reja në përshtatje me situatën.

“Në këtë drejtim mendoj se edhe qeveria shqiptare ka bërë dhe po bën përpjekjet e saj dhe është e rëndësishme që të ketë një frymë gjithnjë e më të madhe të bashkëpunimit. E theksoj edhe një herë, midis autoriteteve qendrore, autoriteteve vendore dhe midis të gjitha autoriteteve dhe qytetarëve”, tha ai.

Pyetjes se janë shumë qytetarë, të cilët po presin në kufi që të hyjnë në Shqipëri dhe si e shikon këtë rast, Presidenti Meta u përgjigj se, “pa asnjë diskutim që duhet bërë çdo përpjekje për të garantuar të drejtat e tyre kushtetuese dhe sipas Konventave Ndërkombëtare. Por duke pasur në konsideratë edhe këtë situatë, pra, mbrojtjen e tyre edhe të të gjithë qytetarëve tanë përmes garantimit të procesit të karantinimit apo të bërjes së testeve në të gjitha rastet ku ka shqetësime apo dyshime”.

“Unë do t’i këshilloja të gjithë ata që kanë mundësi apo që nuk kanë domosdoshmëri për të ardhur në vend, të përpiqen që të evitojnë sa kanë mundësi lëvizjet në këtë periudhë. Megjithatë, në të gjitha rastet duhet të bëjmë çdo përpjekje dhe ata duhet të ndjekin rrugën e bashkëpunimit edhe me ambasadat e me konsullatat tona. Edhe përmes udhëzimeve që jep Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, në mënyrë që të mos gjendemi para situatave të vështira për t’u menaxhuar dhe që nuk janë në interesin e askujt”, tha Meta.

Pyetjes për peticionin e mjekëve dhe infermierëve në Lezhë për shpërblimin nga qeveria shqiptare, Meta iu përgjigj se, “nuk duhet të nxitoj që të jap vlerësime, për të cilat nuk kam informacionin e plotë apo të saktë zyrtar, por dua të përshëndes ekipin e mjekëve dhe infermierëve të Lezhës për punën që ata kanë bërë, pasi ata janë ndeshur në vijën e parë të frontit me këtë pandemi. Janë rrezikuar disa prej tyre dhe për fat të mirë, situata këtu është vendosur nën kontroll. Por unë mendoj se premtimet që janë bërë, do të mbahen ndaj të gjithëve, në radhë të parë ndaj mjekëve dhe infermierëve”.

 

Fraksion.com