AktualitetTë fundit

Meta nga Shkodra: Gjurmueshmëria izolon shpërndarjen e COVID-19

Presidenti Ilir Meta thotë se zgjidhja për të frenuar përhapjen në komunitet të infektimit me COVID-19 dhe të izolimit të tij, është gjurmueshmëria e rasteve të dyshuara, dhe më tej testimi i kontakteve të dyshuara që vjen si pasojë e hetimit epidemiologjik.

Në një deklaratë për mediat nga qyteti i Shkodrës ku pati një takim me kryetaren e Bashkisë në detyrë, Voltana Ademi dhe strukturat e pushtetit vendos e shëndetësor, Meta tha se “Unë besoj se përmes gjurmimit efikas të rasteve të evidentuara dhe përmes testimeve të realizuar për shkak të gjurmueshmërisë do të arrijmë të izolojmë  të gjitha rastet që mos të kemi shpërndarje të mëtejshme. Besoj shumë në bashkëpunimin e të gjithëve. Sa më shumë të bashkëpunojmë aq më shumë do t’i kthehemi normalitetit”, theksoi Presidenti i Republikës.

Ndërkaq, Meta tha se masat kufizuese të vendosura nga qeveria duhet të zbatohen  nga qytetarët pasi vetëm kështu mund të izolohet sa më shpejt përhapja e infeksionit.

“Kufizimet janë një proces që po e ndjekin shumica e vende pa përjashtim, ne jemi fqinj të Italisë me të cilën kemi shkëmbimet më të mëdha njerëzore dhe ekonomike, në këtë drejtim duhet të jemi të duruar dhe duhet t’i respektojmë kufizimet”, u shpreh Meta.

Kreu i shtetit u shpreh se kjo situatë kalohet vetëm me bashkëpunimin e të gjitha autoriteteve.

” Kam besim se përmes bashkëpunimit të shtabit të emergjencës së drejtuar nga prefekti, të kryetares dhe shtabit të saj por dhe përfaqësuesve të pushtetit vendos dhe qendror janë të gjitha mundësitë për ta menaxhuar në mënyrën më të mirë të mundshme këtë krizë, këtë pandemi, dhe padyshim që këtu është i rëndësishëm dhe bashkëpunimi i qytetarëve ne respektimin e të gjitha kufizimeve të distancën sociale, të këshillave të autoriteteve shëndetësore në mënyrë që sa më shpejt jo vetëm të izolojmë të gjitha rastet dhe të ndihmojmë për t’u shëruar të gjithë të prekurit nga COVID-19 por edhe të garantojmë mposhtjen e kësaj pandemie sa më shpejt dhe rikthimin në normalitet të jetës sa më par.

Kjo do të varet nga efikasiteti i të parës, falënderoj kryetaren e bashkisë për angazhimin edhe përkushtimin e saj në bashkëpunim me autoritetet e tjera, dhe jam i bindur se përmes këtij bashkëpunimi do të arrijmë dhe në bashkinë e Shkodrës, që është e vështirë nisur dhe nga shtrirja gjeografike, në çdo cep të këtij qarku për të ndihmuar shëndetin e qytetarëve, për të mbrojtur jetën e tyre, dua t’i ftoj gjithë qytetarët të jenë bashkëpunues, askush të mos ndihet fajtor dhe të rrezikojë duke mos bashkëpunuar për të bërë testin apo për të realizuar procesin e karantimin në rastet e dyshuara për kontakte pasi nuk është rup të kesh COVID, është turp të jesh i pakujdesshëm dhe t’ia transmetosh të tjerëve.”, tha Presidenti Meta.

 

Fraksion.com