AktualitetTë fundit

“I infektuari në Poliçan”; Zotkaj mbyll qytetin

Një 79-vjeçar nga qyteti i Poliçanit ka rezultuar pozitiv me Covid-19.

Pacienti kishte 5 ditë me temperaturë 38, probleme të theksuara në frymëmarrje, me kollē mbytëse, diarre 2 herë në ditë, dhimbje gjoksi e muskulare dhe po trajtohej me oksigjeno-terapi. Gjendja e pacientit ka ardhur duke u rënduar dhe aktualisht ai ndodhet i shtruar në Spitalin Infektiv në Tiranë, nën kujdesin e mjekëve.

I moshuari ka pasur kontakt me djalin e tij 30 vjeç, të ardhur nga Greqia në 5 mars 2020. Gjatë periudhës së karantinës i biri nuk ka shfaqur asnjë simptomë, ndërkohë që prej 2 ditësh ai ka kollë të thatë, dhimbje fyti, dhimbje gjoksi e muskulare dhe temperaturë 37.8. 30-vjeçari mjekohej herë pas here për bronchopneumoni bilaterale dhe tashmë po trajtohet me trajtim ambulator në Qendrën Shëndetësore në Poliçan. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Epidemiologjisë dhe Shëndetit Publik Berat,konfirmojnë se pas kunsultave me mjekun infeksionist dhe hetimit epidemiologjik u vendos marrja e tamponit për të dy pacientët dhe vetëm 79-vjeçari ka rezultuar pozitiv, ndërkohë që testi i djalit të tij 30-vjeçar ka rezultuar negativ.

Të njëjtat burime konfirmojnë se po vijon ndjekja dhe hetimi epidemiologjik i kontakteve të të moshuarit, që dyshohet se janë të shumta. Kryeinfermierja e Qendrës Shëndetësore Poliçan, Çerçina Jonuzi ka deklaruar se,i gjithë stafi mjekësor prej 30 personash i kësaj qëndre është i rrezikuar, pasi i moshuari vinte thuajse çdo ditë në qëndrën shëndetësore sepse vuante nga sëmundjet shoqëruese: HTA,SIZ,SPOK e Cardio Megali dhe për këtë arsye merrte mjekim, ndërkohë që në disa raste edhe punonjësit e qendrën shkonin për ta vizituar atë edhe në banesë. Sipas kryeinfermieres,i gjithë stafi i qendrës do të futet në karantinë.

I ashpër ka qënë edhe reagimi i kryetarit të bashkisë Poliçan, Adriatik Zotkaj, i cili ka konfirmuar se i gjithë qyteti do të futet në karantinë. Ai deklaron se heqja e postbllokut në hyrje të qytetit pas konflikteve me policinë,e bëri të pamundur filtrimin e personave që hynin e dilnin në qytet. Zotkaj ka deklaruar se pas konfirmimit të rasti të parë 10 000 banorët e Poliçanit janë në rrezik serioz për jetën sepse vuajnë nga sëmundje të mushkërive dhe sëmundje profesionale, për shkak të punës që kanë kryer në Kombinatin Mekanik të Armëve në Poliçan.

 

Fraksion.com