AktualitetKosovaTë fundit

ASHAK: Partitë politike dhe institucionet të vetëpërmbahen deri në fund të pandemisë

Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës (ASHAK) i ka ftuar subjektet politike dhe institucionet të tejkalojnë përçarjet dhe situatën e krijuar politike në Kosovë gjatë kohës së pandemisë me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Përmes një komunikate, ASHAK-u ka shfaqur, siç është thënë shqetësimin dhe zhgënjimin e saj me situatën e krijuar pasi, “qytetarët e Kosovës, pavarësisht nga bindjet e tyre politike, janë vendosur nën një trysni të paparë të retorikave nxitëse, ndërkohë që subjektet politike dhe militantët e tyre nuk duan të zmbrapsen nga veprimet me prapavijë konflikti”.

ASHAK-u ka ftuar për tejkalimin e kësaj situate dhe kthimin “te vlerat e vërteta të mirëkuptimit dhe humanizmit.

“Në emër të këtyre vlerave, mbi të cilat kemi besuar gjithnjë se është ndërtuar shoqëria jonë, Kryesia e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës fton subjektet politike dhe institucionet e Republikës së Kosovës për vetëpërmbajtje, së paku deri në fund të kësaj pandemie, duke u rezervuar me vullnet të mirë si nga retorika nxitëse opozitare, ashtu edhe nga vendimet institucionale, të cilat shkaktojnë përçarje dhe nxisin konflikt”, thuhet në komunikatën e ASHAK-ut.

Përveç tjerash, Akademia ka bërë thirrje, që për shkak të situatës së krijuar, secili të tregojë gatishmëri për solidaritet dhe përbashkim, “duke vendosur mbi interesin pushtetar interesin e përbashkët të të gjithë qytetarëve të Kosovës, për ta fituar betejën kundër pandemisë, duke refuzuar dhe duke anashkaluar të gjitha dallimet politike dhe etnike”.

Në komunikatë është thënë edhe se institucionet e Kosovës dhe njerëzit e vullnetit të mirë e kanë obligim që përkujdesjen dhe solidaritetin ta ushtrojë në çdo cep të Kosovës, përfshirë minoritetet dhe grupet e margjinalizuara të shoqërisë.

Në Kosovë, deri më tash janë konfirmuar 145 raste me koronavirus, përfshirë këtu edhe 23 pacientët që janë shëruar.

Nga radhët e komunitetit serb, janë infektuar 33 persona, ndërsa një ka vdekur.

Komuniteti serb i raporton rastet e veta në Serbi.

Qeveria tashmë në detyrë e Kosovës ka shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik.

Ndalimi i lëvizjes së njerëzve në kuadër të masave të qeverisë është në fuqi nga ora 17:00 deri në 06:00, çdo ditë.

 

Fraksion.com