13 punëtorë shëndetësorë në Prishtinë dërgohen në vetizolim, patën kontakt me personin që vdiq nga COVID-19
13 punonjës shëndetësorë të mjekësisë urgjente në Prishtinë janë dërguar në vetizolim si pasojë e kontaktit që patën me 59-vjeçarin e prekur nga COVID-19, i cili ndërroi jetë në orët e hershme të mëngjesit të sotëm. Këtë informatë e ka dhënë për Express, drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Bujar Gashi. Ndërkohë në Prishtinë janë 19 persona që kanë rezultuar si të infektuar me koronavirus.
“Janë 13 punëtorë shëndetësorë të mjekësisë urgjente janë dërguar në vetizolim që të gjithë ata kanë pasur kontakt me personin tashmë të ndjerë në Prishtinë”, ka deklaruar Gashi për Express.
Tutje ai ka dhënë detaje rreth masave që i ka marrë komuna e Prishtinës për mbrojtje nga koronavirusi.
“Ne ngushëllojmë për vdekjen e pacientit në Prishtinë. Gjendja momentalisht sa u përket qytetarëve të infektuar me COVID-19 në komunën e Prishtinës, rezulton të jetë stabile. Ne jemi duke punuar 24 orë në 7 ditë të javës për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve. Të gjithë pacientët nga komuna e Prishtinës që janë 19 persona si të prekur me Covid-19 janë në gjendje stabile”, ka deklaruar Gashi.
Ai ka deklaruar, po ashtu, se Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me kryetarin e komunës është marrë vendim për mbylljen e shesheve për qarkullim për qytetarët.
“Të gjitha vendimet që merren nga ana e kryetarit diskutohen edhe me Drejtorinë për Shëndetësi. Janë marrë masat për kufizimin e lëvizjes në sheshin kryesor të Prishtinës. Kemi konsideruar se kjo gjë në masë të madhë do të ndihmojë në parandalimin e përhapjes së COVID-19 në Prishtinë”, sqaron Gashi.
Fraksion.com