Vdes një tjetër pacient me COVID-19; Shkon në 21 numri i viktimave
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka njoftuar se edhe një tjetër pacient me koronavirusin e ri (COVID-19) ka ndërruar jetë, ndërsa numri i viktimave gjithsej është rritur në 21.
Në njoftimin zyrtar ministria konfirmon se ka ndërruar jetë sot në Spitalin Infektiv në Tiranë 61-vjeçari me inicialet S.K., me COVID19, i shtruar prej 20 ditësh në spital, në gjendje të rëndë.
“Më herët 61-vjeçari nga Tirana pësoi vdekje klinike dhe prej disa ditësh gjendja e tij ishte rënduar së tepërmi.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve të Spitalit Infektiv në terapinë intensive, 61-vjeçari që vuante nga hipertensioni, nuk ia ka dalë të mbijetojë”, theksohet në njoftim.
“Njoftimi:
Ka ndërruar jetë sot në spitalin infektiv 61-vjeçari me inicialet S.K., i shtruar prej 20 ditësh në spital, në gjendje të rëndë, i intubuar. Më herët 61-vjeçari nga Tirana pësoi vdekje klinike dhe prej disa ditësh gjendja e tij ishte rënduar së tepërmi.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve të Spitalit Infektiv në terapinë intensive, 61-vjeçari që vuante nga hipertensioni, nuk ia ka dalë të mbijetojë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjes së të ndjerit. Ministria e Shëndetësisë i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. Është po kaq e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare, duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye, për të parandaluar transmetimin e COVID-19.”
Në Shqipëri numri i rasteve me koronavirusin e ri është 361, përfshirë edhe personat që kanë ndërruar jetë, ndërsa mes tyre 104 janë shëruar.
Fraksion.com