AktualitetBota+Të fundit

SHBA: Përplasje mes qeverisjes federale dhe lokale ndërsa rëndohet kriza e koronavirusit

Shtetet e Bashkuara po përballen me probleme të mëdha përsa u takon pajisjeve të nevojshme mjekësore për të sëmurët me koronavirus. Kjo gjë ka shkaktuar përplasje të mëdha mes shteteve e qeverisë federale në një moment kur vendi po përballet me një nga situatat më të rënda të emergjencës.

Guvernatori i Nju Jorkut Andrew Cuomo vlerësoi Kinën për lehtësimin e një dërgesë prej 1000 respiratorësh, ndërsa Presidenti Donald Trump tha se shtetet po bëjnë kërkesa të pajustifikuara për furnizime dhe sugjeroi se ai kishte dorë në dërgesat që po u shkonin shteteve.

Presidenti tha se qeveria federale i kishte dhënë guvernatorit të Nju Jorkut, siç tha ai “më shumë se çdokush tjetër për një periudhë të gjatë kohe”. Zoti Cuomo pranoi se i kishte kërkuar ndihmë Shtëpisë së Bardhë dhe të tjerë zyrtarëve për të negociuar mbi respiratorët.

Numri i personave të infektuar në SHBA është rritur në më shumë se 312,000 ndërsa viktimat u ngjitën 8,500. Qyteti i Nju Jorkut regjistron numrin më të lartë të të vdekurve si pasojë e viursit, me mbi 2600 të vdekur, por situata po përkeqsohet edhe në pjesë të tjera të vendit.

Miçigani ka më shumë se 14,000 persona të infektuar dhe 500 të vdekur, kryesisht në Detroit. Në Luiziana kanë vdekur më shumë se 400 persona dhe autoritetet po kërkojnë me dëshpërim respiratorë.

Numri i infeksioneve të konfirmuara në rang botëror ka arritur në 1.2 milionë dhe i vdekjeve arrin 65,000, sipas universitetit Johns Hopkins.

 

Fraksion.com