AktualitetTë fundit

Riorganizohet tregu i Kombinatit; Veliaj: Qytetarët të bashkëpunojnë me autoritetet

Nga kjo e hënë, tregu në Kombinat do të ketë një organizim të ri, me qëllim ruajtjen e shëndetit të qytetarëve që e frekuentojnë atë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, inspektuan masat e reja të marra në tregun kryesor të kësaj zone, ndërkohë që ambulantët janë zhvendosur përkohësisht në tezgat e ngritura në sheshin kryesor të Kombinatit, për të shmangur grumbullimet.

“Tregu i Kombinatit ka qenë e vetmja zonë problematike javën e kaluar. Asnjë kujdes nuk është i tepërt. Tregu i Kombinatit është ndarë në dy pjesë, dyqanet kanë mbetur aty ku kanë qenë, pas pallateve, ndërkohë që tezgat kanë ardhur tek sheshi në Kombinat. Është vetëm një zhvendosje provizore për kohën e koronavirusit, si një masë paraprake, me ndarjen e komunitetit tregtar nga ai blerës në dy pjesë, në hapësirë te hapur, jo ne rrugicat e ngushta ku ishim më përpara”, tha Veliaj.

Hyrja në treg do të bëhet nëpërmjet një pike kontrolli, ku do të ketë dezinfektantë, ndërkohë që edhe lëvizja njëkalimshme nëpër dyqanet brenda tregut do të jetë e kontrolluar. “Tek rrugica ku është tregu i Kombinatit, secili prej tregtarëve do të ketë një pullë të verdhë në pragun e subjektit tregtar. Tek ajo pulla e verdhë blerësi do të mund të komunikojë me shitësin dhe do të mund të bëjë blerjet, e liron pastaj vendin, dhe vjen dikush tjetër. Hyrja në treg do të bëhet nëpërmjet një postblloku: kushdo që hyn dezinfektohet, kalojnë me radhë një nga një. Tregu është me një kalim, pra futesh nga një vend, dhe del në një vend tjetër, si një rrugë njëkalimshe”, sqaroi Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj nënvizoi se krahas masave të marra nga Bashkia e Tiranës dhe angazhimit të Policisë, nevojitet më shumë se kurrë dhe bashkëpunimi i qytetarëve.

“Shpresoj shumë që bashkë me angazhimin e shtuar të policisë së shtetit dhe policisë bashkiake, nesër do të kemi një rikthim në normalitet edhe në Kombinat, dhe do të shohim nëse do të marrim masa në tregje të tjera. Ne mund të ndërtojmë barriera, mund të ndërtojmë check-point, mund të bëjmë dezinfektime, por ajo që nuk kemi në dorë është ndryshimi i mentalitetit, që e ka secili vetë në dorë. Njerëzit do zbulojnë pas kësaj fundjave të gjatë që nesër prapë do ketë ushqime, dyqane të hapura, do ketë produkte në treg. Ne do ndryshojmë realitetin në terren, por duam që njerëzit të ndryshojnë realitetin në mentalitet”, tha ai, teksa shtoi se ky nuk është një moment për t’u rebeluar dhe për të diskutuar, por ky është momenti për bindje dhe respekt ndaj uniformave të policisë dhe bashkëpunim tregtar, qytetar, administratë lokale.

Edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu u bëri thirrje qytetarëve që të respektojnë këtë periudhë distancimin social. “Unë përfitoj nga rasti që t’ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve që frekuetojnë këto tregje, që të respektojnë distancimin social, për faktin se është shumë i rëndësishëm. Eshtë ajo nyja e cila do të na bëjë të mundur që të parandalojmë sa më shumë përhapjen e këtij virusi dhe të na lehtësojnë punën edhe ne, duke na e bërë më të lehtë veprimtarinë tone”, tha Veliu.

 

Fraksion.com