AktualitetKosovaTë fundit

Kurti: Disa politikanë në Prishtinë e Beograd duan konflikt në veri të Ibrit

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar nga qytetarët që t’i marrin me rezervë deklarimet e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Përmes një video-mesazhi, Kurti ka thënë se ka politikanë e zyrtarë në Prishtinë dhe Beograd që duan konflikt në Kosovë, sidomos në veri të Ibrit, duke provokuar incidente.

“Tash duan konfikte e gjakderdhje ne terren për t’u rikthyer te shkëmbimi territorial përkatësisht te ndarja e Kosovës. Krejt njëjtë është edhe ajo intenca për të shpallur Gjendje të Jashtëzakonshme me çdo kusht e çmim. Pasi që nuk arriten ta shpallin për ta bërë, duan ta bëjnë për ta shpallur”, ka thënë Kurti.

Të shtunën, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kritikuar qeverinë në detyrë duke thënë se ajo është e papërgjegjshme karshi situatës së krijuar me pandeminë në veri të Kosovës.

Dy komuna të veriut, Mitrivica e Veriut dhe Zveçani, janë vendosur në karantinë dhe kjo, sipas Thaçit është bërë jashtë kontrollit të institucioneve të Kosovës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës nuk guxon të lejojë që komunat në pjesën veriore të Kosovës të funksionojnë jashtë kontrollit menaxhues të institucioneve dhe organeve kompetente për parandalimin e pandemisë COVID-19, duke iu krijuar kështu hapësirë ilegale vepruese autoriteteve të Serbisë brenda territorit të shtetit tonë”, ka shkruar Thaçi në rrjetin social Facebook.

Mirëpo zyrtarët e qeverisë në detyrë kanë instistuar se vendosja në karantinë e këtyre dy komunave është bërë në koordinim zyrtar më Ministrinë e Shëndetësisë dhe bazuar në rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se është ministria e Shëndetësisë ajo që ka shpallur karantinën në dy komunat me shumicë serbe.

“Ne e dimë se Serbia ka pretendime ndaj shtetit tonë të pavarur të cilin ajo nuk e njeh. Ne e dimë se ajo merr edhe veprime kundër institucioneve tona, posaçërisht në veri. Të gjitha këto ne i raportojmë të KFOR-i dhe faktorët tjerë ndërkombëtarë. Ne veprojmë e sillemi me kujdes, sidomos në këtë kohë kur askush nuk mund të ketë prioritet tjetër përveç shëndetit publik”, ka thënë Kurti.

Pas përplasjeve politike ndërmjet krerëve të institucioneve të Kosovës, kanë pasuar reagimet nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë dhe shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian.

“Sëmundja mposhtet duke lënë anash ndasitë mes komuniteteve, dhe duke ndjekur udhëzimet e profesionistëve shëndetësorë”, thuhet në komunikatën e Ambasadës së SHBA-së.

Ndërkaq, shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka kërkuar që në Kosovë, të lihen anash dallimet politike dhe debatet e padobishme, dhe të ketë angazhim në përgjigjen ndaj krizës së pandemisë./REL

 

Fraksion.com