Kosovë, rritet në 145 numri i rasteve të konfirmuara me COVID-19
Kosova ka raportuar pesë raste të reja të diagnostikuar pozitiv me koronavirusin e ri (COVID-19), me çka numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 145, ndër të cilët deri më tani 23 janë shëruar dhe një ka vdekur.
Siç ka bërë të ditur Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), sot në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare janë testuar 93 mostra ndërsa prej tyre pesë kanë rezultuar pozitive.
“Rastet pozitive janë raste kontakti, tre prej të cilave janë me vendbanim në Banjë-Malishevë, një me vendbanim në Gjakovë dhe një me vendbanim në Smrekonicë-Vushtrri”, njofton IKSHPK.
Nga 8 shkurti i këtij viti, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare janë testuar gjithsej 1.964 mostra të dyshimta me COVID-19, ndërsa prej tyre pozitive kanë rezultuar 145 raste me 1 rast të vdekjes i një të moshuari 82 vjeç dhe 23 pacientë të shëruar.
Sot gjatë ditës Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për heqjen e “orës policore” më 12 prill ndërsa kufizimet tjera të Qeverisë që kanë për qëllim parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19) janë shtyrë deri në një vendim tjetër.
Fraksion.com