SHBA, rreth 260 mijë me COVID-19, mëse 6,500 mijë të vdekur
Në Shtetet e Bashkuara, numri i të konfirmuarve me koronavirus ka arritur në rreth 260 mijë me më shumë se 6500 të vdekur.
Në qytetin e Nju Jorkut janë regjistruar mëse 1,560 të vdekur që nga fillimi i pandemisë. Pandemia ka infektuar më shumë se një milion njerëz në të gjithë botën.
Presidenti Trump, i cili është kritikuar sepse fillimisht u përpoq të ulte në komentet e tij rrezikun nga virusi, ka mobilizuar reagimin e qeverisë federale për ta vënë nën kontroll epideminë.
Më shumë se tre të katërtat e amerikanëve janë nën urdhra për të reduktuar ose ndalur aktivitetin e përditshëm. Në popullatën e ndikuar janë edhe dhjetëra mijëra të burgosur, të cilët u njoftuan të mërkurën se do të mbahen të mbyllur në qeli.
Parqe kombëtare, ndër to edhe Kanioni i Madh janë mbyllur për të mos lejuar turistë. Qyteti i Nju Jorkut ka mbyllur pistat publike të basketbollit, në një kohë që përballet me goditjen më të rendë të epidemisë në Shtetet e Bashkuara.
PANDEMIA PARALIZON EKONOMITË
Pandemia ka paralizuar ekonomitë kudo në botë, pasi konsumatorët po pakësojnë shpenzimet, të shqetësuar për shëndetin dhe sigurinë e vendit të punës.
Departamenti amerikan i Punës njoftoi të premten se ekonomia humbi gjatë muajit mars rreth 700 mijë vende pune dhe shkalla e papunësisë u rrit në 4.4% nga 3.5% që ishte në shkurt. Kjo i jep fund një periudhe 113 mujore gjatë së cilës punësimi njohu vetëm rritje.
Gjatë 2 javëve të fundit, ka patur rreth 10 milion kërkesa për pagesë papunësie, pasi mbylljet e bizneseve me urdhër të qeverisë kanë detyruar ndërmarrje të mëdha e të vogla si dhe industri të tëra të ndërpresin aktivitetin.
Presidenti Donald Trump takohet sot në Shtëpinë e Bardhë me drejtues të kompanive të naftës për të diskutuar mbi rënien historike të çmimit botëror të naftës që kërcënon bizneset e kësaj industrie.
Fraksion.com