Kosovë: Covid-19; Shkon në 63 numri i të prekurve
Autoritetet në Kosovë konfirmuan të martën mbrëma edhe dy raste të të prekurve nga virusi Covid-19.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike tha se te prekura janë një 25 vjeçare nga fshati Vrapçiç i komunës së Gjilanit dhe një grua 73 vjeçare nga fshati Studime e ulët e komunës së Vushtrrisë.
Numri i përgjithshëm i të prekurve arriti në 63, ndërsa të dielën u shënua viktima e parë e këtij virusi, një 82 vjeçar nga fshati Dumnicë i komunës së Podujevës, i cili sipas Klinikës Infektive në Prishtinë, vuante edhe nga sëmundje të tjera kronike.
Autoritetet paralajmëruan se dy tre javët në vazhdim pritet të jenë vendimtare për luftën kundër koronavirusit, ndërsa po u bëjnë thirrje qytetarëve që të respektojnë masat e vendosura në përpjekje për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Të hënën mbrëma qeveria e Kosovës vendosi kufizimin e lëvizjes së qytetarëve, si masë për të penguar zgjerimin e virusit, duke nxitur reagimin e presidentit Hashim Thaçi, i cili tha se kjo paraqet shkelje të rëndë të Kushtetutës së vendit dhe i kërkoi Gjykatës Kushtetuese interpretimin e tij.
Përplasjet rreth vendimit të qeverisë thelluan krizën politike në Kosovë. Për të mërkurën është caktuar mbledhja e parlamentit për të shqyrtuar një mocion për rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Albin Kurti, që është ngritur nga Lidhja Demokratike, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës.
Fraksion.com