Shpërndarja e maskave shkakton debat në Belgjikë
Në Belgjikë është shkaktuar një debat rreth shpërndarjes së 6 milionë maskave të fytyrës që vendi i mori sot nga Kina në vazhdën e shpërthimit të koronavirusit të ri (COVID-19).
Elio di Rupo, kreu i rajonit frëngjisht-folës në Belgjikën jugore, Wallonia, tha se rajoni i tij ka të drejtë të marr 2.2 milionë maska, ndërkohë homologu i tij flaman, Jan Jambon, tha se rajoni i tij holandisht-folës duhet të marr 92 për qind të dërgesës, ndërsa Wallonia dhe Brukseli të ndajnë pjesën tjetër të mbetur prej 8 për qind.
Vendi prej 11 milionë banorësh ka një sistem federal të komplikuar që jep pushtet të konsiderueshëm në rajonin Flaman, Wallonia dhe në kryeqytetin Bruksel.
Të tre rajonet janë përgjegjëse për shërbimet e kujdesit shëndetësor.
Sipas autoriteteve shëndetësore, nga rreth 30 mijë testime të kryera mbi 3.400 kanë rezultuar pozitiv ndaj koronavirusit, prej të cilëve 88 kanë ndërruar jetë.
Dje, ministrja federale e Shëndetësisë, Maggie de Block, tha se “situata aktuale do të zgjasë të paktën tetë javë të tjera”.
Qeveria federale e udhëhequr nga Sophie Wilmes javën e kaluar imponoi një bllokim, duke lejuar njerëzit të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për të blerë ushqim dhe ilaçe, për të vizituar mjekun, për të ndihmuar dikë në nevojë apo për të shkuar në punë.
Banorëve u lejohet të bëjnë shëtitje apo vrapim në hapësira të hapura, por duhet të mbajnë një distancë prej 1.5 metrash nga të tjerët.
Bazuar në të dhënat e Universitetit John Hopkins në Maryland, virusi COVID-19, i cili për herë të parë u shfaq dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, është përhapur në 167 vende dhe rajone duke infektuar mbi 350 mijë njerëz në mbarë botën. Nga ky virus po ashtu janë konfirmuar rreth 15.300 vdekje.
Fraksion.com