AktualitetBota+Të fundit

Pse Rusia ka më pak raste me koronavirus se Luksemburgu, kur ka më shumë banorë?

Nga Mary Ilyushina

 

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se vendi i tij arriti të ndalojë përhapjen masive të koronavirusit dhe se situata ishte nën kontroll, falë masave agresive të marra herët.

A e ka Rusia nën kontroll pandeminë nga koronavirusi? Sipas informacioneve të publikuara nga zyrtarët rusë, strategjia e Putinit duket se ka funksionuar.

Numri i rasteve të konfirmuara me koronavirus është çuditërisht i ulët, pavarësisht se Rusia ka me Kinën kufirin më të gjatë ndërkombëtar dhe regjistroi rastin e parë me virusin vdekjeprurës në muajin janar.

Në botë, numrat janë në rritje, por Rusia, një vend me 146 milionë banorë, ka më pak raste të konfirmuara se Luksemburgu, me vetëm 253 persona të infektuar. Në anën tjetër, Luksemburgu ka një popullsi prej vetëm 628 mijë banorësh, sipas Factbook World CIA, dhe deri këtë të shtunë ka raportuar 670 të prekur dhe 8 të vdekur.

Masat e hershme të Rusisë, siç ishte mbyllja e kufirit të saj prej 2600 milje me Kinën që në 30 janar dhe vendosja në karantinë e disa zonave, mund të kenë ndikuar në ngadalësimin e përhapjes së virusit, kanë thënë disa ekspertë.

Rekord testimesh

“Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë tha, teste, teste, teste”, kujtoi Dr. Melita Vujnovic, përfaqësuesja e OBSH në Rusi, për CNN. “Rusia kështu veproi, që nga fundi i janarit”, thotë ajo, e cila shton se Rusia mori një seri të tjera masash, përveç testimeve.

“Testimi dhe identifikimi i rasteve, gjurmimi i kontakteve, izolimi, këto janë të gjitha masat që OBSH propozon dhe rekomandon, dhe ato u zbatuan edhe nga Rusia”, shprehet më tej Vujnovic. “Distancimi shoqëror social është masa e dytë që filloi të zbatohet relativisht herët”.

“Rospotrebnadzor”, Vëzhguesi Shtetëror i Konsumatorëve të Rusisë, bëri të ditur të shtunën se kishte kryer më shumë se 156 mijë teste për koronavirusin në total. Në Rusi nisën testimet masivisht që nga fillimi i shkurtit, duke u përqendruar të udhëtarët që vinin nga Irani, Kina dhe Koreja e Jugut. Për krahasim, kjo ndodhi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fillim të marsit. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se edhe Rusia nuk kishte mangësi, pasi nuk testoi udhëtarët që vinin nga Italia ose vende të tjera të prekura, duke u kufizuar vetëm me vendosjen e tyre në një karantinë dy javore. Shumica e rasteve me koronavirus në Rusi, kanë shkuar pikërisht nga Italia, sipas zyrtarëve të shëndetësisë ruse.

Skepticizmi te qytetarët

Pavarësisht këtyre të dhënave, Rusia lufton me një skepticizëm të gjerë, një trashëgimi e së kaluarës së saj sovjetike. Në rrjetet sociale, rusët kanë ngritur pyetje që i referohen rekordeve të dobëta të transparencës së vendit nga Chernobyl-i, te epidemia e HIV / AIDS në vitet 1980. Por autoritetet kanë reaguar menjëherë duke kundërshtuar atë që ata e shohin si informacion të rremë. Në fillim të marsit, Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë, detyroi të fshihej një postim ku pretendohej se numri i rasteve me koronavirus kishte shkuar në 20 mijë, por qeveria ruse po e mbante të fshehtë atë. Në anën tjetër, disa ekspertë kanë ngritur dyshime për besueshmërinë e sistemit të testimit të Rusisë, i cili varet nga një laborator i vetëm.

Akuzat e kundërshtuara nga Kremlini dhe OBSH

Anastasia Vasilyeva, mjeke e Alexey Navalny dhe drejtuese e sindikatës së Aleancës së Mjekëve, bëri bujë me një seri videosh, në të cilat ajo pretendonte se autoritetet ishin duke fshehur shifrat e vërtetë të koronavirusit, duke përdorur pneumoninë dhe infeksionin akut të frymëmarrjes si diagnozë.

“Ata thanë se shkaku i vdekjes së pacientit të parë me koronavirus ishte tromboza”, tha Vasilyeva për CNN. “Është e qartë, askush nuk vdes nga vetë koronavirusi, por nga komplikimet, kështu që është shumë e lehtë të kryesh manipulime”.

Zyrtarët e Shëndetësisë në Moskë mohuan akuzën dhe thanë se ata po testonin pacientë me pneumoni për koronavirus. Po ashtu edhe, Dr. Vujnovic, nga OBSH, ishte skeptike në lidhje me pretendimin e Vasilyeva-s.

Mbi këto pretendime, foli të mërkurën edhe Putin, i cili u shpreh se qeveria mund të mos ketë një pamje të plotë të situatës nga koronavirusi, por nuk po i fsheh shifrat.

Këtë javë, numrat janë rritur ne Rusi, me 30 deri në 50 raste të reja çdo ditë dhe numri i të prekurve pritet të rritet, duke qenë se Rusia po kryen më shumë testime. Mëngjesin e së shtunës, “Rospotrebnadzor” publikoi një shifër potencialisht më shqetësuese krahasuar edhe me numrin e të prekurve aktualë, kur tha se 36,540 persona janë duke u mbajtur nën vëzhgim pasi dyshohet se mund të jenë të prekur.

Ndërkohë, qeveria mori masa më të rrepta, duke anuluar ngjarjet publike dhe mbylljen e kufijve, me disa përjashtime. Megjithatë, në anën tjetër, Putin ka nënshkruar një dekret që cakton një referendum mbarëkombëtar për ndryshimet kushtetuese më 22 prill, të cilat i hapin rrugë atij të qëndrojë në pushtet deri në vitin 2036. Autoritetet janë zotuar të mbajnë nën kontroll situatën nga koronavirusi, por deri më tani data e referendumit nuk është ndryshuar. / Nga Mary Ilyushina, CNN.

 

Fraksion.com