Lufta ndaj Covid-19, mjeku: SHBA aprovoi testin e shpejtë, makineria është dhe në Shqipëri
Dr. Arjet Gega, specialist i sëmundjeve infektive në Connecticut në SHBA, bëri një njoftim të rëndësishëm, për sa i përket testimeve për koronavirusin te pacientët e dyshuar. Në një lidhje live për abcnews, Dr. Gega tha se edhe Shqipëria i ka mundësitë për ta bërë këtë.
Ai tha se ekspertët amerikanë të shëndetësisë, aprovuan një lloj testi që do të përdoret për të dyshuarit.
Testi që do të aplikohet nxjerr rezultatin e të dyshuarve me Covid-19 brenda 45 minutave, dhe bëhet fjalë për një test të përdorur më parë për testimin e tuberkulozit.
Dr. Gega deklaroi se edhe Shqipëria e ka një kapacitet të tillë gjendje, dhe mund ta përdorë këtë për të bërë të mundur ndjekjen epidemiologjike në mënyrë edhe më agresive të pacientëve të dyshuar.
Si po e menaxhojnë SHBA-të situatën?
Dr. Arjet Gega: Administrata amerikane u zgjua pak vonë por më mirë vonë se kurrë. Menaxhimi është kombinim i disa gjërave edhe në Amerikë, madje përfitoj nga trasti tju bëj thirrje të gjithë shqiptarëve dhe në Shqipëri dhe në Amerikë. Distancimi dhe vetëizolimi është mënyra e vetme për tu mbrojtur.
A duhet bërë testi vetem tek njerëzit që kanë simptomat, apo nëse është e mundur tek të gjithë?
Dr. Arjet Gega: Aktualisht në SHBA është e pamundur të testohen të gjithë pacientët. Aktualisht po testohen njerëzit që kanë simptoma, dhe ata që prezantohen në spital dhe ata që kanë patur kontakt me ata që janë diagnostikuar me koronavirusin. Ndërkohë dje një lajm shumë i mirë u njoftua, ekspertët amerikanë por edhe ata europianë, aprovuan një lloj testi që do të aplikohet.
Avantazhi i këtij lloj testi është sepse rezultati del brenda 45 minutave. Benefiti tjetër është se shumë spitale këtë lloj testimi, këtë lloj makinerie e kanë tashmë gjendje në depot e tyre sepse është përdorur në testimet e tuberkulozit më përpara, kështuqë mjaftojnë vetëm kitet.
Në dijeninë time edhe në Shqipëri kjo makineri ekziston kështu që kapaciteti për testim mund të zgjerohet shumë shpejt. Me sa kam parë Shqipëria i ka vënë të gjitha vezët në izolimin social ndërkohë që testimi ka ngelur pak mbrapa.
Duhet bërë përçapje shumë serioze që të testohen njerëzit e prekur, jo të gjithë pacientët duhet të shkojnë tek infektivi, duhet të ketë mënyra apo metoda që këta pacientë të testohen edhe në mënyrë ambulatore dhe më pas bëhet edhe më agresive ndjekja epidemiologjike dhe karantina.
Si ju duket se po menaxhohet në Shqipëri situata me koronavirusin nga ana sociale?
Dr. Arjet Gega: Mesazhi im i parë është për popullin shqiptar, duhet bërë vetëizolimi personal në shtëpitë e tyre. Çdo familje duhet ta trajtojë veten si një njësi dhe çdo person që vjen nga jashtë duhet të trajtohet si një i huaj.
Çdo njeri duhet të shohë veten e tij sikur është i infektuar dhe të përpiqet të mos infektojë të tjerët. Shqiptarët në njëfarë mënyrë janë ndërgjegjësuar edhe pse nuk jam dakord me ato fashat e përcaktuara të lëvizjeve sepse njerëzit dynden nëpër tregje, nëpër supermarkete në ato orë të përcaktuara.
Kjo situatë mund të na paralizojë si shoqëri për më tepër mund të paralizojë sistemin shëndetësor nëse nuk e kontrollojmë mirë situatën. Në Shqipëri dihet kapaciteti shëndetësor ndaj është shumë e rëndësishme që njerëzit ta marrin shumë seriozisht këtë situatë.
E vërteta është që në të gjithë vendet që ka prekur ky virus ka një pikë ku përkeqësohet situata dhe më pas përmirësohet, edhe për Shqipërinë do të ndodhë e njëjta gjë.
Fraksion.com