“Asnjë këmbë njeriu në rrugë”; Rama: Operacioni humanitar ndihmoi në 72 orët e fundit, 14 428 familje
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se operacioni humanitar ka ndihmuar në 72 orët e fundit 14 428 familje më në nevojë, 11 089 familje me ndihma ushqimore, 1 203 familje me medikamente dhe 2 136 familje të tjera për nevoja urgjente.
“Do të vazhdojmë pa pushim çdo ditë të trokasim në dyert e pensionistëve të vetmuar, dyert e familjeve me problem të mëdha ekonomike, në dyert e familjeve të prekura nga tërmeti që nuk kanë as derë se jetojnë ende në çadra dhe do të bëjmë gjithçka që të mos u mungojë ushqimi bazë, apo medikamentet”, u shpreh Kryeministri.
Mbarë njerëzimi sot, vijoi Rama, ka vetëm një armë, rezistencën e durimit popullor.
Kryeministri po ashtu theksoi se forcat e rendit, ushtrisë dhe operacionit humanitar po vijojnë pa u ndalur në ndihmë të atyre që janë më shumë se gjithë tjerët në nevojë.
“Policia e Shtetit informon se sot nuk ka patur deri tani asnjë këmbë njeriu në rrugë, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, asnjë, përveç forcave të rendit, ushtrisë dhe operacionit humanitar që vijon pa u ndalur në ndihmë të atyre që janë më shumë se gjithë të tjerët në nevojë.
Kryeministri shprehu mirënjohjen për të gjithë qytetarët që po zbatojnë rigorozitet masat e vendosura për frenimin e COVID-19.
“Mirënjohje të gjithëve ju, pa dallim feje, krahine e ideje që mbyllur brenda shtëpisë po e pengoni përparimin e armikut dhe po jepni një kontribut të jashtëzakonshëm në këtë luftë, ku mbarë njerëzimi ka vetëm një armë, rezistencën e durimit njerëzor”, tha Kryeministri.
Fraksion.com